Lufta në Ukrainë/ Putin: Rusia po kalon kohë shumë të vështirë! Angazhimi i Perëndimit për paqe, ishte mashtrim

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po përballet me një moment shumë të vështirë. Në fjalimin e tij para dhomave të përbashkëta të parlamentit rus, Putin ka bërë një pasqyrim mbi situatën e luftës në Ukrainë dhe vlerësim të shkaqeve që e sollën atë.
Në një përpjekje për të mbrojtur operacionin e tij special ushtarak në Ukrainë, presidenti rus theksoi se trupat kanë punuar për të garantuar sigurinë në tokat historike të vendit. Më tej, Putin u shpreh se “Ngjarjet historike do të përcaktojnë të ardhmen e vendit tonë… secili prej nesh është i lidhur me një përgjegjësi të madhe”.
Sipas CNN, Presidenti deklaroi se Rusia u përpoq të zgjidhte konfliktin në rajonin e Donbasit me mjete paqësore, por sipas tij, angazhimi i Perëndimit për paqen doli të ishte “mashtrim” dhe një “gënjeshtër mizore”. Putin pretendon se Kievi po përpiqej të grumbullonte armë biologjike dhe bërthamore.
“Ne po bënim gjithçka që ishte e mundur për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë paqësore, duke negociuar një rrugëdalje paqësore nga ky konflikt i vështirë, por pas shpine po përgatitej një skenar krejt tjetër. Ata [Perëndimi] thjesht po luanin për kohën, duke mbyllur sytë ndaj vrasjeve politike, keqtrajtimit të besimtarëve”, tha ai.
Fjalimi i Putin vjen pas vizitës së papritur që Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi në Kiev, ku u takua me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe përsëriti mbështetjen e SHBA ndaj Ukrainës. Presidenti Biden ndodhet këtë të martë (21 shkurt) në Poloni për të takuar liderët evropianë për të mbledhur mbështetjen perëndimore për Ukrainën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




