Lufta në Ukrainë/ Rusia pezullon pjesëmarrjen në traktatin e ri të armëve bërthamore

Botë | 4 vite më parë

Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START për reduktimin e armëve bërthamore. Presidenti Vladimir Putin theksoi se Moska nuk tërhiqet nga marrëveshja, por ka pezulluar pjesëmarrjen e saj.

Sipas traktatit të kontrollit të armëve bërthamore si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia lejohen të kryejnë inspektime ndaj njëri-tjetrit, por ato janë ndërprerë që nga viti 2020 për shkak të pandemisë Covid-19.

Megjithatë, traktati i ri START është ende në fuqi pasi marrëveshja e mëparshme midis Moskës dhe Uashingtonit zgjati atë deri më 4 shkurt 2026. Sipas zyrtarëve amerikanë, Rusia ka refuzuar vazhdimisht të lejojë inspektimet e objekteve të saj bërthamore.

“Rusia nuk është në përputhje me detyrimin e saj sipas Traktatit të Ri START për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit në territorin e saj”, u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Refuzimi i Rusisë për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit i pengon Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë të drejta të rëndësishme sipas traktatit dhe kërcënon qëndrueshmërinë e kontrollit të armëve bërthamore SHBA-Rusi, transmeton CNN.

Traktati vendos kufizime ndaj numrit të armëve bërthamore me rreze ndërkontinentale që mund të kenë si SHBA ashtu edhe Rusia. Ai u zgjat për herë të fundit në fillim të vitit 2021 për pesë vjet, që do të thotë se të dy palët së shpejti do të duhet të fillojnë negociatat për një marrëveshje tjetër për kontrollin e armëve. Një sesion i Komisionit Konsultativ Dypalësh mbi traktatin ishte planifikuar të zhvillohej në Egjipt në fund të nëntorit 2022, por u anulua papritur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme