Luiza Gega, sonte në garë për finalen

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest,  po zhvillohet Kampionati Botëror i Atletikës, aty ku sonte do të garojë edhe kampionia shqiptare e Evropës, Luiza Gega. Në fakt, atletja kuqezi vjen në këtë garë jo në formën e saj më të mirë, sepse, pas një seance stërvitore para dy javësh, sportistja ka ndjerë në mbrëmje një shqetësim të lehtë në 3 muskujt kryesorë pas kofshës, të njohur ndryshe si “harmstring”.

Që në atë moment ka filluar trajtimi, edhe pse dëmtimi dukej shumë i lehtë për të krijuar shqetësime më pas, ndërsa si masë paraprake, ka mbërritur në Dardhë, aty ku po stërvitej Gega, edhe një fizioterapist, i cili ka qenë aty me të përgjatë gjithë 10 ditëve në vijim. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi dëmtimin, por, sipas asaj që është vërejtur në stërvitje, muskuli i saj gjatë kësaj jave ka reaguar çuditshëm, sidomos kur ka stërvitje me kalime të pengesave, sepse aty ka shtrirje të muskulit maksimalisht.

Megjithatë, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, ka sqaruar të mërkurën paradite për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, se sportistja do të futet sot në garë, minimalisht për të siguruar vendin midis 15 finalisteve të 3,000 m/p më 27 gusht. Janë 3 bateri kualifikuese që zhvillohen sonte, teksa janë 35 atlete që konkurrojnë për vendin në finale, aty ku do të kualifikohen 5 të parat e çdo baterie. “Përtej dëmtimit, kualifikimi për në finale është një mision i mundshëm, edhe pse rreziku ekziston gjithmonë, por ne shpresojmë që Luiza të shkojë në finale dhe këto 4 ditë kemi në dispozicion, t’i shfrytëzojmë për riaftësimin e mëtejshëm të saj”, – ka deklaruar shkurtimisht Stërmasi. Bateria e Luiza Gegës, që është bateria e 3-të dhe e fundit, është programuar të nisë sonte rreth orës 19:55.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme