Manja: Opozita vazhdon të jetë penguese e Reformës në Drejtësi!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi të enjten se raporti i DASH vlerëson punë e qeverisë për Reformën në Drejtësi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Manja tha se “sipas raportit të DASH qeveria shqiptare zbatoi një proces të monitoruar ndërkombëtarisht për të verifikuar gjyqtarët dhe prokurorët.
Deri në shtator, 42% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të verifikuar kishin dështuar dhe ishin shkarkuar, thotë raporti. 36% kaluan dhe 22% dhanë dorëheqjen ose pensionimin e parakohshëm”, tha ai duke iu referuar raporti të DASH.
Manja shtoi se “sot që flasim kanë kaluar në sitë 550 gjyqtarë dhe prokuror, gati 58% e tyre kanë ngelur në sitën e vetingut”.
“Nuk e di si e lexon opozita këtë, por unë mendoj se nuk ka nevojë për koment është e shkruar në raport. Ky është vlerësim për qeverinë, por dhe opozita duhet të ndihet pjesë e këtij vlerësimi sepse drejtësia e re është për të gjithë shqiptarët”, tha ai.
Manja shtoi se “një sërë zyrtarësh të lartë të vendeve mike kanë kërkuar ekspertizë nga Shqipëria për të sjellë shembullin e saj në vendet e tjera përsa i përket reformës në drejtësi”.
Ai akuzoi opozitën se ka qenë dhe vazhdon të jetë penguese e Reformës në Drejtësi.
“Ua kam përmendur gjithmonë me kryesoren, vullnetin politik për implementimin e kësaj reforme dhe le të mos bëjmë sikur harrojmë, flitet për vullnetin e kësaj mazhorance socialiste, sepse vullneti i opozitës dihet. Pas votave për ndryshimet kushtetuese e gjithë beteja e opozitës për reformën në drejtësi ka qenë dhe vazhdon të jetë pengimi i reformës”, tha ai.
Duke folur për korrupsionin, Manja u shpreh se “ka një vizion tjetër nga qeveria që është mirëpritur nga partnerët tanë. Korrupsionin po e luftojmë fort në qelizë pa pritur të na kthehet në kancer”.
“Prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm për vitin 2021 ka menaxhuar 41 raste korruptive nga 20 që ishin në 2020. SPAK ndoqi në vitin 2021, rreth 606 çështje nga të cilat 133 janë persona të akuzuar për korrupsion, 49 për krim të organizuar dhe në vitin 2021 janë dënuar për korrupsion 127 persona, ndërkohë 264 çështje për korrupsion janë regjistruar janë regjistruar në vitin 2021 për herë të parë”, tha ai.
Duke folur për luftën kundër korrupsioni nga Struktura Antikorrupsion në radhët e Administratës Publike, Manja u shpreh se “që nga tetori i viti kaluar kemi rezultate të shkëlqyera.
“Mbi 20 kallëzime penale në prokurori, dhjetëra shkarkime gjë qindra dosje nën hetim pa përmendur bashkëveprimet me institucionet e tjera”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




