Manja, takime në Landin e Bavarisë: Bashkëpunim edhe në fushën e drejtësisë!

Aktualitet | 3 vite më parë

Qeveria shqiptare dhe qeveria e Landit të Bavarisë, do të thellojnë bashkëpunimin dypalësh. Kjo u bë e ditur në rrjetet sociale nga Ministri i  Drejtësisë, Ulsi Manja i cili në krye të  një delegacioni po zhvillon një vizitë në Gjermani.  duke theksuar se në fokus të bisedave ishte bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.

Zoti Manja ka  zhvilluar një takim pune me drejtorin e Politikave Michael Hinterdobler, që po ndjek axhendën e bashkëpunimit dypalësh mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Landit të Bavarisë, të dakordësuar mes dy kryeministrave në shkurt të vitit 2023. 

“Rinovimi i një miqësie që filloi me mikun e çmuar të Shqipërisë Franz Josef Strauss është baza e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy qeverive tona” shkruan zoti Manja.

Sipas tij bashkëpunimi mes dy qeverive do të shtrihet edhe në fushën e drejtësisë, sigurisë, administratës publike, ekonomisë, bujqësisë dhe turizmit. 

Më 15 shkurt 2023 Kryeministri Rama priti në Tiranë Kryeministrin e Landit të Bavarisë, Markus Söder.

Kryeministri Rama dhe kryeministri bavarez Söder theksuan në takim, mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe diskutuan mënyrat e një angazhimi më konkret në kuadër të këtij procesi, duke synuar një vëmendje më të madhe të investitorëve gjermanë në fushat me rëndësi strategjike të ekonomive të dy vendeve.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme