Maran: Përqendrim maksimal për sfidën ndaj Finlandës, gati për të dhënë gjithçka

Kombëtarja | 5 minuta më parë

Trajneri i kombëtares shqiptare Rolando Maran ka folur për mediat në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Finlandës, që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Trajneri Maran u shpreh optimist për ndeshjen ndaj Finlandës, duke theksuar se skuadra ka punuar mirë dhe se lojtarët janë të motivuar për të marrë një rezultat pozitiv.

Tekniku kuqezi vlerësoi mbështetjen e tifozëve dhe kërkoi përqendrim maksimal, përkushtim dhe përgjegjësi nga futbollistët për të bërë një paraqitje sa më të mirë.

Çfarë Shqipërie presim nesër? – Është ajo që shpresojmë të gjithë: të shohim golat e lojtarëve tanë. E shpresoj unë, e shpreson skuadra, por mbi të gjitha e shpresojnë të gjithë tifozët tanë. Nëse ka kaq shumë tifozë, kjo ndodh sepse ata besojnë te ne dhe kjo është gjëja kryesore që duhet të dimë dhe të respektojmë.

Nga ana jonë, e di që ekziston një dëshirë shumë e madhe për t’ua kthyer këtë përkushtim dhe këto vlera. Nga ajo që kam parë te këta djem dhe nga mënyra se si i përjetojnë grumbullimet, mendoj se janë të gjitha kushtet që të zbresim në fushë dhe të bëjmë mirë. Për këtë jam i bindur, sepse i shoh kur vijnë, i dëgjoj dhe e ndiej këtë dëshirë që kanë.

Ne duhet të jemi të aftë ta përcjellim në fushë këtë krenari, këtë mbështetje dhe këtë përkushtim, duke e bërë me shumë përgjegjësi, sepse përfaqësojmë diçka të rëndësishme dhe këtë e dimë shumë mirë.

Deklarata e trajnerit të Finlandës? – Besoj se çdo trajner, ashtu si edhe unë, ka të njëjtin besim te skuadra e tij. Të besosh te skuadra jote nuk duhet të konsiderohet si diçka e gabuar. Unë kam bindjet e mia dhe ato janë shumë të forta, sepse i kam parë lojtarët teksa punojnë, kam parë se si do të zbresim në fushë dhe e di që do të kemi mbështetjen e një stadiumi fantastik.

Besoj se janë të gjitha kushtet për të bërë mirë. Ne duhet vetëm të jemi të përqendruar te kjo dhe të mos shohim se çfarë thotë njëri apo tjetri. Duhet thjesht të jemi të bindur për atë që mund të bëjmë ne dhe kaq.

A është punuar me skuadrën që lojtarët të bashkëpunojnë më shumë në grup? – Në lidhje me ndeshjen ndaj San Marinos, kemi sqaruar që gjëja më e rëndësishme ishte fitorja dhe jo se cili lojtar do të shënonte gol. Nga ky këndvështrim, nuk ka asnjë dyshim që ky mesazh është kuptuar nga skuadra.

Megjithatë, në pjesën e dytë ndaj San Marinos ulëm ritmin, gjë që nuk duhet ta bëjmë. Këtë e dimë edhe vetë, pa qenë nevoja që të na e thotë dikush, sepse ishte e dukshme.

Por ajo ndeshje tregoi një skuadër që, pasi gaboi dhe pësoi gol, arriti të reagonte. Brenda 20 minutash realizoi tetë goditje në portë dhe e riktheu situatën në kontroll. Sigurisht, duhej ta kishim zgjidhur ndeshjen më herët. Megjithatë, është një skuadër që e ndien këtë përgjegjësi dhe e përjeton atë, por edhe kur gabon, arrin të reflektojë, të korrigjohet dhe të kuptojë se cila është rruga e duhur.

Ndeshja ndaj Finlandës? – Skuadra duhet të zbresë në fushë me synimin për të shënuar e para dhe për të pësuar sa më pak. Sipas mendimit tim, ndeshja e fundit ndaj San Marinos ka krijuar pak konfuzion lidhur me atë që po bënim deri në atë moment, sepse skuadra edhe në Finlandë ka ndërtuar mirë lojën, ka bërë atë që duhej dhe besoj se ka treguar dëshirën për të shënuar sa më shpejt dhe për të marrë kontrollin e ndeshjes.

Këtë e bëmë në Finlandë. Madje, ndaj San Marinos kaluam menjëherë në avantazh, por më pas ishim ne ata që i ndërlikuam gjërat. Jam i bindur se do t’ia dalim.

Çfarë karakteristike të popullit shqiptar doni të injektoni te skuadra? – Sigurisht, kjo krenari dhe vendosmëria për të arritur atë që synon, është diçka që e kam hasur në çdo ambient. Natyrisht, për mua federata është vendi ku punoj dhe ku takoj më shumë njerëz. Megjithatë, kjo këmbëngulje dhe kjo mënyrë e të kërkuarit të gjërave kanë qenë gjithmonë karakteristikë e këtij populli.

Besoj se edhe ne duhet ta përcjellim këtë në fushë, duke e bërë me një ndjenjë të madhe përgjegjësie. E përdor këtë fjalë, sepse për mua, termi “përgjegjësi” e shpreh më qartë se çdo fjalë tjetër këtë koncept.

Lojtarët e kampionatit shqiptar? – Është e rëndësishme të njoh sa më shumë lojtarët që aktivizohen në këtë kampionat, sepse një trajner i kombëtares duhet të ketë një ide të qartë, veçanërisht në vendin ku punon, për potencialin që mund të ketë. Për këtë arsye, po i ndjek me kënaqësi ndeshjet, për të parë dhe zbuluar lojtarë, ndoshta edhe për t’i ftuar në grumbullim, në mënyrë që të kuptoj më mirë vlerat e tyre të vërteta.

Është diçka që e bëj me dëshirë, por që, sipas meje, është edhe detyrë e një trajneri të kombëtares. Prandaj, nuk e konsideroj diçka të veçantë. Më vjen mirë që e vëreni, por mendoj se duhet të ketë respekt, nga ana ime, edhe për këtë kampionat, ashtu siç duhet të ketë respekt për kampionatet ku aktivizohen të gjithë lojtarët e tjerë në vende të ndryshme të botës.

Stadiumi “Air Albania” sold out, sa ndikon kjo te motivimi për lojtarët? – Një lojtar duhet të motivohet gjithmonë nga diçka, mbi të gjitha në një ndeshje si ajo e nesërmja, ku do të kemi një stadium që do të na mbështesë, që na pret dhe që beson te ne. Sepse nëse tifozët vijnë në stadium, kjo ndodh pikërisht sepse besojnë te ne.

Prandaj, mendoj se gjëja më e rëndësishme është që secili lojtar, individualisht, të largohet nga fusha pa pasur asgjë për t’i qortuar vetes. Kur një futbollist e di se ka dhënë gjithçka që mundej, ndonjëherë mund të ndodhin edhe gabime, por ai duhet të jetë i vetëdijshëm se ka dhënë maksimumin: çdo pikë djerse, gjithë përkushtimin, vëmendjen, zemrën dhe dëshirën për të arritur rezultatin, pra gjithçka që kërkohet.

Në atë moment, sipas meje, e ke zhvilluar ndeshjen siç duhet. Nuk e di se cili do të jetë rezultati, por jam i bindur se nëse japim gjithçka në këtë mënyrë, mundësitë për të arritur rezultatin e dëshiruar rriten ndjeshëm.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme