Marrëveshja tregtare e Irlandës së veriut, Sunak takim ballë për ballë me von der Leyen

Botë | 4 vite më parë

Kryeministri britanik, Rishi Sunak do të zhvillojë një takim ballë për ballë me presidentin e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një përpjekje për të finalizuar një marrëveshje për Irlandën e Veriut. Takimi do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar të hënën, teksa duket se palët janë në prag të një marrëveshje.

Një marrëveshje pritet prej ditësh, me bisedimet e fundit të fokusuara në prezantimin dhe dorëzimin e saj. Protokolli i Irlandës së Veriut u miratua nën ish-kryeministrin Boris Johnson si pjesë e procesit të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, Irlanda e Veriut vazhdon të ndjekë disa ligje të BE-së në mënyrë që mallrat të mund të rrjedhin lirshëm mbi kufirin me Republikën e Irlandës pa kontrolle. Në vend të kësaj, mallrat që vijnë nga Anglia, Skocia dhe Uellsi kontrollohen kur mbërrijnë në portet e Irlandës së Veriut.

Kritikët mendojnë se kjo minon pozicionin e vendit brenda pjesës tjetër të Mbretërisë së bashkuar, si dhe ndikon në tregti.

DUP është ankuar për atë që e quan një “deficit demokratik” me Irlandën e Veriut që i nënshtrohet rregullave të BE-së, ndërsa nuk ka një fjalë për to.

Çfarë është Protokolli i Irlandës së Veriut?

Protokolli i Irlandës së Veriut është një marrëveshje tregtare, e negociuar gjatë bisedimeve të Brexit. Ai lejon që mallrat të transportohen përtej kufirit tokësor irlandez pa pasur nevojë për kontrolle.

Para Brexit, ishte e lehtë të transportoheshin mallra përtej këtij kufiri, sepse të dyja palët ndiqnin të njëjtat rregulla të BE-së. Pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar, nevojiteshin marrëveshje të veçanta tregtare, sepse Irlanda e Veriut ka një kufi tokësor me Republikën e Irlandës, e cila është pjesë e BE-së.

BE-ja ka rregulla strikte ushqimore dhe kërkon kontrolle kufitare kur disa mallra, si qumështi dhe vezët, mbërrijnë nga vende jo anëtare të BE-së.

Kufiri tokësor është një çështje e ndjeshme për shkak të historisë së trazuar politike të Irlandës së Veriut.  Mbretëria e Bashkuar dhe BE ranë dakord se mbrojtja e marrëveshjes me Irlandën e Veriut, ishte një prioritet absolut.

Pra, të dyja palët nënshkruan Protokollin e Irlandës së Veriut si pjesë e marrëveshjes së tërheqjes së Brexit. Në negociatat e tërheqjes, çështja e kufirit irlandez ishte një nga tre fushat që kërkonte një rrymë të dedikuar negociatash në mënyrë që të arrihet marrëveshja e tërheqjes që kërkohet përpara se të bihet dakord për marrëdhëniet e ardhshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së pas daljes së Britanisë nga unioni evropian.

Qeveritë irlandeze dhe të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesit e BE-së, kanë deklaruar se nuk dëshirojnë një kufi të vështirë në Irlandë, duke marrë parasysh “ndjeshmëritë” historike dhe sociale që përshkojnë ishullin. Pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian më 31 janar 2020, ky kufi është gjithashtu kufiri midis BE-së dhe një vendi të jashtëm. Protokolli i Irlandës së Veriut i marrëveshjes së tërheqjes së Brexit angazhon Mbretërinë e Bashkuar dhe BE për të mbajtur një kufi të hapur në Irlandë, në mënyrë që (në shumë aspekte) kufiri de fakto të jetë kufiri i detit irlandez midis dy ishujve./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme