Masakra me 9 të vdekur në Beograd, Blinken: Viktima të një dhune të pakuptimtë. Mendimet tona janë me popullin e Serbisë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave të tragjedisë së djeshme (3 maj) në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Beograd.
“Mendimet tona janë me popullin e Serbisë. Ne bashkohemi me të tjerët në mbarë botën për të dërguar ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave të pafajshme të dhunës së pakuptimtë“, shkruan Blinken në Twitter.
Ditën e djeshme tetë fëmijë dhe një roje sigurie u vranë, pas të shtënave me armë në një shkollë fillore në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën në masakrën e ndodhur mëngjesin e së mërkurës, ngjarje për të cilin policia arrestoi si autor një 14 vjeçar nxënës të kësaj shkolle.
Por 14-vjeçari Kosta Keçmanoviç nuk do të ndiqet penalisht për të moshës së tij.
Sipas Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, bëhet e ditur se në bazë të Ligjit për të Mitur, ligji penal nuk e ndëshkon autorin pasi ai nuk e ka kaluar moshën 14 vjeç.
Ndërkohë qeveria e Serbisë ka shpallur 3 ditë zie kombëtare, duke nisur nga datat 5-7 maj, në nder të viktimave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




