Maturantët testojnë njohuritë në matematikë, publikohet në rrjetet sociale teza e provimit

30.000 maturantët i janë nënshtruar këtë të martë provimit të tretë të Maturës Shtetërore, atij të matematikës. Herët në mëngjes janë paraqitur në institute arsimore dhe i janë drejtuar korridoreve dhe palestrave të monitoruara me kamera sipas një grafiku të përcaktuar më herët nga qendra e shërbimeve arsimore.
Ashtu siç ka ndodhur edhe në provimet e tjera, 30 minuta pasi maturantët kanë hyrë në provim ka qarkulluar në rrjetet sociale varianti A dhe B i tezes së matematikës.
Të pyetur pas testimit, maturantët konfirmojnë se pyetjet e tezes së publikuar kanë qenë të njejta me ato që kanë dhënë në provim, edhe pse kjo nuk i ka shërbyer atyre për zgjidhjen e ushtrimeve.
Provimi është cilësuar nga maturantët i një niveli mesatar vështirësie.
Të 60 pyetjet e provimit kanë qenë me alternativa dhe zhvillim ashtu siç ishte njoftuar edhe më parë dhe maturantët janë shprehur se koha e vendosur në dispozicion prej 2 orësh e gjysëm ishte e mjaftueshme, për të zgjidhur gjithçka.
Vështirësia e pyetjeve në provimet e Maturës Shtetërore është e përshkallëzuar sipas nivelit të nxënësve.
40% të pyetjeve janë për nivelin e 5 dhe 6, 40% të tjera për nivelin mesatar dhe 20% janë pyetje të vështira që ndajnë nxënësit e 9-s nga ata të 10-s.
5 ditë më vonë më, 19 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të fundit të maturës, atij të lëndës me zgjedhje.
Gazetare: Keti Toroveci
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




