Mazhorancë-opozitë bashkojnë votat, miratojnë komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

Politikë | 1 vit më parë

Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar sot votat duke votuar pro ngritjes së dy komisioneve të posaçme, atij për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale

Komisioni i posaçëm për “Zgjedhoren” ka siguruar 113 vota pro dhe vetëm 3 vota kundër, ndërsa ai i “Territoriales” mori 115 vota pro dhe 3 kundër.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të përbëhet nga 16 anëtarë, mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa mundësi për të dhënë propozime do të kenë edhe partitë e reja të Kuvendit të dala nga zgjedhjet e 11 majit 2025, “Shqipëria bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”, por nuk do të kenë të drejtë vote.

Komisioni do të ngrihet mbi parimin e barazisë mes pozitës dhe opozitës, me 16 anëtarë gjithsej: 7 nga PS-ja, 7 nga PD-ja dhe 2 nga partitë që kanë siguruar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Përmes një marrëveshjeje të arritur mes dy partive kryesore më herët, PS-ja i ka liruar një vend PSD-së, ndërsa PD-ja ia liroi vendin Agron Shehajt. Drejtimi do të jetë bipartizan, me nga një bashkëkryetar nga socialistët dhe demokratët.

Sipas projektvendimit, Komisioni do të fokusohet në hartimin e ndryshimeve ligjore për Reformën Zgjedhore, adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ato parlamentare të 11 majit 2025, si edhe zgjedhjet e mëparshme që nuk janë trajtuar. Gjithashtu, pritet të hartohet një ligj i posaçëm për financimin e partive politike.

Komisioni i Posaçëm për reformën Administrativo-Territoriale do të përbëhet nga 16 anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë.

Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.

Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 9-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit.

Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij të përcaktuar në pikën II të këtij vendimi, në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë: Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me:

i) institucionet e qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë;

ii) institucionet e sistemit të drejtësisë;

iii) institucionet kushtetuese të pavarura dhe institucionet publike të krijuara nga Kuvendi.

iv) agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës;

v) ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse;

vi) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit;

vii) pedagogë e studentë;

viii) përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.;

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme