“1984” premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental, një vepër klasike me mesazhe aktuale
“1984”, kryevepra e shkrimtarit britanik George Orwell, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në një bashkëprodhim me Teatrin “Migjeni”.
Vepra, me regji të Dino Mustafić dhe dramatizim të Jeton Nezirajt, do të shfaqet më 29 30 dhe 31 tetor.
E konsideruar si një nga veprat më të fuqishme letrare mbi kontrollin, lirinë dhe manipulimin e së vërtetës, “1984” rikthehet në skenë si një reflektim mbi realitetin bashkëkohor, ku mbikëqyrja, kontrolli i informacionit, manipulimi i gjuhës dhe teknologjia kanë marrë një rol gjithnjë e më të madh në jetën e përditshme.
Kasti i aktorëve përbëhet nga Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka dhe Nikolin Ferketa
“Njerëzit nuk duan ta dëgjojnë realitetin, sepse Orwelli nuk na paralajmëron për një shoqëri së cilës i ndalohet të flasë, por për diçka shumë më të frikshme: një shoqëri që ka frikë të mendojë, pra që ka frikë nga mendimi i lirë”, u shpreh aktori Nikolin Ferketa.
“Publiku nuk duhet ta humbasë këtë shfaqje, jo vetëm sepse mendojmë se është e arritur artistikisht, por edhe sepse nuk duhet të humbasë mesazhet e forta që ajo përcjell. Gjithashtu, metaforat që ajo përmban janë shumë të fuqishme”, tha Adriana Tolka.
“Është një shfaqje që ngre shumë pikëpyetje dhe do ta bëjë publikun të reflektojë për mënyrën se si po jeton. Pra, a jemi vërtet të lirë të themi atë që mendojmë pa pasur frikë? A jemi të kontrolluar apo jo”, theksoi aktorja Eva Gjika.
Shfaqja vendos në qendër konfliktet mes kujtesës dhe fshirjes, së vërtetës dhe manipulimit, intimitetit dhe kontrollit, si dhe gjuhës dhe heshtjes.“1984” sjell në skenë edhe pyetjen se sa nga liria e individit mbetet vërtet e tij kur mendimet, informacioni dhe e vërteta mund të vëzhgohen dhe manipulohen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




