Mbiçmimi i lekut/ “Shoqata e eksportuesve” kërkon reagim, paralajmëron protesta

Shoqata e Eksportuesve ka paralajmëruar protesta nga bizneset e mëdha nëse qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk ndërhyn në politikat monetare të vendit.
Në një konferencë të përbashkët, përfaqësuesit e biznesit eksportues thanë se po goditen nga forcimi i monedhës kombëtare kundrejt valutave.
Ata kërkuan lehtësira fiskale për të zbutur pasojat.
“Në rast se nuk vjen reagimi, do jetë tepër vonë. Edhe ne jemi taksa pagues dhe duhet të dimë çfarë po ndodh në vend dhe pse nuk ndërhyhet. Sa janë mundësitë të subvencionohemi, pasi nuk është për fajin e bizneseve kjo që po ndodh,” deklaruan përfaqësuesit e Zyrës së Unifikuar të Bizneseve të Eksportit.
Kërkesa e tyre i është drejtuar në letër kryeministrit Edi Rama, guvernatorit të Bankës, Gent Sejko, dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Politikat monetare të propozuara nga Shoqata e Eksportuesve
- Rienergjizimi i luftës kundër informalitetit dhe pagesave cash dhe reduktimi i parave jashtë bankave. BSH dhe institucionet e tjera shtetërore, të vlerësojnë mundësinë e ofrimit të stimujve dhe lehtësirave të ndryshme (fiskale, financiare etj.) personave dhe subjekteve ekonomike për pagesat me kartë.
- Deeuroizimi i ekonomisë-redukton goditjet e pamenaxhueshme të kursit të këmbimit. Përdorimi i valutës së huaj në transaksionet brenda vendit, duhet të dekurajohet, për shembull një politikë e tillë është dekurajimi i marrjes së huasë në një monedhë të ndryshme nga të ardhurat e huamarrësit.
- Përcaktimi i kufijve tavan të një shume maksimale që këmbimoret lejohen të kryejnë. Këto zyra janë rreptësisht të kufizuara, për sa i përket kryerjes së transaksioneve në vlera të mëdha, duke ndaluar kategorikisht ato mbi një vlerë të caktuar.
- Kontroll dhe mbikëqyrje e rreptë nga institucionet përkatëse, mbi të gjitha transaksionet në valutë të huaj përtej një shume.
- Përpunimi i të dhënave në kohë reale për flukset hyrëse dhe dalëse te euros dhe disa statistika vjetore për periudhën kritike qershor-shtator.
- Emetimi i instrumenteve financiare në valutë nga institucionet shtetërore, si p.sh pjesë e rëndësishme e kontrollit të ofertës së tepërt në valutë. Në gjendjen në të cilën ndodhet, nuk ka asnjë arsye madhore që qeveria të marrë kredi në tregjet ndërkombëtare, kur BSH fare mirë mund t’ia merrte.
- Ndarja me shoqatat eksportuese të raporteve të BSH-së, në lidhje me detyrimet ligjore për të informuar dhe raportuar në qeveri dhe Kuvendin e Shqipërisë, për luhatjet e kursit të këmbimit dhe tendencat e tyre dhe rekomandimet për mbrojtjen e bizneseve eksportuese kur ka dinamika serioze.
- Harmonizimi MFE me BSH i levizjeve ditore dhe mujore të Fluksit të Parasë, për të ulur rritjen e ofertës për euro gjatë periudhave të prurjeve të mëdha, të ardhura nga turizmi, remitancat dhe Investimet e Huaja Direkte.
- Banka e Shqipërisë mund të marrë masa monetare, për të reduktuar ndikimin/pasojat negative në ekonomi të mbiçmimit të lekut dhe luhatjeve të pakufizuara të kursit të këmbimit.
Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mund të marrë disa masa për të mbështetur eksportuesit që janë në vështirësi, duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së eksporteve, përmirësimin e mundësive financiare te eksportuesve dhe përgjigjen ndaj sfidave me të cilat përballen eksportuesit.
Këto masa janë shumë më efektive, kur zbatohen në koordinim me politikat e gjera ekonomike dhe tregtare nga qeveria. Bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm si qeveria, BSH dhe shoqatat e eksportuesve, është thelbësor për të siguruar suksesin e strategjive kombëtare dhe masave të marra.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




