Mbytja e babait me dy djemtë e mitur në Vilë-Bashtovë, arrestohet administratori i plazhit

Aktualitet | 3 vite më parë

Policia ka arrestuar administratorin e pjesës së plazhit të Vilë Bashtovës ku u mbytën në det një ditë më parë (9 korrik) babai me dy djemtë e mitur.

Policia ka vënë në pranga 34-vjeçarin P.N,  pasi akuzohet se nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së plazhistëve, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës, nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova të hapësirës ujore, pjesën e plazhit që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë.

Policia e Kavajës bëri me dije se viktimat janë babai dhe dy djemtë e tij, 13 dhe 17 vjeç nga Tirana.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur mesditën e datës 09.07.2023, në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas (babai dhe dy djemtë e tij të mitur), strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. N., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi kjo ngjarje.  

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë”.   

Shërbimet e Njësisë Policore Detare ndërhynë për t’i shpëtuar, por të tre personat kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme