Më 25 mars Trump në Gjykatë – Gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan

Botë | 3 vite më parë

Një gjykatëse në Nju Jork e ka refuzuar të enjten kërkesën e Donald Trumpit për ta hedhur poshtë aktakuzën kundër tij në lidhje me pagimin e një aktoreje të filmave për të rritur për të heshtur, duke i hapur rrugën gjykimit penal të një ish-presidenti amerikan për herë të parë në histori.

Gjykatësja ka caktuar 25 marsin si datë për fillimin e rastit i cili është njëri nga katër rastet penale me të cilat po përballet Trumpi, në një kohë kur ai është duke luftuar për t’u nominuar kandidat për president nga republikanët për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e 5 nëntorit.  Trump i ka mohuar akuzat, ndërsa secila prej tyre dënohet me deri në katër vjet burgim, megjithëse nuk është e qartë nëse Trump do të dënohej me burgim.

Trump, 77 vjeç, i kishte kërkuar gjykatëses ta hidhte poshtë aktakuzën 34-faqeshe, ku ai akuzohet se i kishte falsifikuar regjistrat e biznesit për ta mbuluar një pagesë 130.000 dollarë për Stormy Daniels, para zgjedhjeve të vitit 2016.  Por, gjykatëses  iu deshën më pak se 10 minuta për ta hedhur poshtë kërkesën e tij dhe për ta konfirmuar 25 marsin si datë të fillimit të gjyqit ndaj tij.

Ndaj Trumpit janë ngritur edhe tri aktakuza, në të cilat ai akuzohet në Xhorxhia dhe Uashington se u përpoq ta zhbënte humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, si dhe në Florida për mbajtjen e jashtëligjshme të dokumenteve të klasifikuara.

Gazetar A.Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme