Me not nga Otranto drejt Vlorës, Buzo: Bëra më të mirën dhe jam e kënaqur

Atletja shqiptare, Eva Buzo ka dhënë një deklaratë për mediat pas 28 orësh not nga brigjet e Italisë drejt Vlorës.
Buzo tha se është e kënaqur me rezultatin që ka arritur, si dhe theksoi se u mundua që të japë më të mirën.
“Jam shumë e kënaqur me rezultatet që kam arritur. U mundova që të jap më të mirën, noti ka vështirësitë e veta. Në këtë notim hasa vështirësi me erën por i thash vetës fillo të notosh. Fillova ngadalë dhe mendova se kur të vinte darka do e kisha me shumë por, nuk ndodhi ashtu pasi u pickova nga një kandil dhe nuk ja arrita qëllimit. Anijet e vogla kishin efektit e tyre. Kur nisa të notoj gjatë darkës ra një mjegull e dendur e cila më ndikoi në frymëmarrje. Të gjitha këto bën që të kishin efektin e vet për të mos përfunduar garën“, tha ajo.
Eva Buzo do të bëhej gruaja e parë në histori që kalon 91 km e Otrantos me not, objektiv i cili me pak fat mund të ishte realizuar me sukses nga avokatja shqiptaro-australiane.
Vetëm 16 kilometra nga bregu i Vlorës, pasi kishte notuar 75 kilometra, Eva Buzo e ndali notin pas rreth 28 orësh rrugëtim.
36 vjeçarja australiane me origjinën e të parëve nga Shqipëria, i rezistoi fillimisht këshillave të trajnerëve të saj për t’u tërhequr, por në fund u detyrua të dorëzohej vetëm pak milje nga Karaburuni.
Pickimi i një kandili ia rëndoi situatën ndërsa edhe kripa ia kishte vështirësuar më parë të folurën.
E pyetur për lidhjen që ka me vendin tonë, ajo tregon që ka gjyshin nga Shqipëria.
Gazetar: P. Dhimaj
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




