Media Online dhe kriza e besueshmërisë, prezantohet në Shkodër studimi mbi sfidat e gazetarisë në epokën digjitale

Aktualitet | 4 muaj më parë

Media online shqiptare po funksionon gjithnjë e më shumë nën logjikën e performancës digjitale, ku klikimet dhe rrjetet sociale ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni.

Ky është një nga përfundimet kryesore të një studimi të realizuar nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, me mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Gjetjet e studimit u prezantuan në një takim me gazetarë dhe drejtues mediash në Shkodër, ku u diskutua mbi sfidat që po përballet sot gazetaria në epokën digjitale dhe nevojën për ruajtjen e standardeve profesionale.

“Redaksitë të cilat të ardhurat i gjenerojnë kryesisht nga trafiku që kanë online janë më të prirura që të bëjnë tituj më të fortë që i flasin emocionit, që krijojnë një lloj polarizimi të shoqërisë dhe nëpërmjet kësaj gjenerojnë ndërveprime në rrjetet sociale. Ndërkohë kemi konstatuar, për shembull, edhe raste pozitive ku janë kryesisht mediat e NGO-ve të cilat kanë tituj më neutral”, tha Emirjon Senja, gazetar, Studiues i medias.

Vëmendje të veçantë ne studim ka  edhe roli I  inteligjencës artificiale në media. Edhe pse teknologjitë e reja po krijojnë mundësi për rritjen e efikasitetit, kjo po shoqërohet  edhe me vështirësinë e verifikimit të informacionit duke ndikuar në rënien e besueshmërisë nga publiku.

“Dikur njerëzit besonin sepse diçka kishte dalë në gazetë. Filluan të besojnë akoma më shumë sepse e panë me sytë e vet që e panë në televizor. Ndërsa tani nuk i zë dot bes as veshit çfarë dëgjon dhe as syrit çfarë shikon sepse është inteligjencë artificiale. Rrugëdalja është të krijosh ato që quhen ishuj integriteti. Kujt do t’i besosh?”, tha gazetari, analisti Lutfi Dervishi.

Nga pjesëmarrësit në takim u theksuan se,  në një mjedis mediatik gjithnjë e më konkurrues, gazetaria cilësore mbetet garancia kryesore për informim të saktë dhe për forcimin e marrëdhënies së besimit mes mediave dhe qytetarëve

Gazetar: A. Hoti              

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme