Mediat malazeze: Arrestohet Kryetari i Komunës së Budvës. Zyra e Milo Bozhoviç e kundërshton: Është marrë në pyetje

Rajon | 4 vite më parë

Kryetari i Komunës së Budvës, Milo Bozhoviç është arrestuar mëngjesin e kësaj të enjte (13 prill) gjatë një aksioni policor që po zhvillohet në disa qytete malazeze.

Vijesti bën me dije se arrestimi i Bozhoviç nga zyrtarët e Departamentit të Policisë Speciale, është  bërë me urdhër të të Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT).  Bozhoviç është arrestuar në shtëpinë e tij në qendër të Budvës, ndërsa nuk bëhet me dije arsyeja e prangosjes së tij.

Sipas informacioneve të Vijestës, aksioni i policisë ka nisur në Budva, Cetinje dhe Podgoricë.

“Sipas urdhrit të Prokurorisë Speciale të Shtetit, me mbështetjen dhe ndihmën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Zbatim të Ligjit – EUROPOL, Departamenti i Policisë Speciale, me ndihmën logjistike dhe operative të Njësisë Antiterroriste të Policisë , ndërmerr masa dhe veprime në kuadër të hetimeve në dy lëndë penale. Për privimin e mundshëm të lirisë së personave të caktuar dhe për rezultatet e masave dhe veprimeve në vazhdim publiku do të informohet me kohë”, tha prokurori i shtetit dhe zëdhënësi Vukas Radonjiç.

Por  Zyra e Kryetarit të Komunës së Budvës ka hedhur poshtë lajmin e arrestimit të Bozhoviçit, teksa sqaron se ky i fundit është thirrur nga Prokuroria për t’u marrë në pyetje.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme