Mendo si verifikues faktesh, është e shëndetshme të jesh dyshues

Prezantohet sot në Tiranë dokumentari “Mendo si verifikues faktesh”, i cili trajton temën e mungesës dhe nevojës së edukimit medial. Në një intervistë për emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, drejtuesja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, u shpreh se tendenca botërore e shpërndarjes së lajmeve të rreme ka prekur Kosovën dhe Shqipërinë, dhe duket se kjo barrë bie mbi gazetarët. “Lajmet e rreme nuk shpërndahen nga profesionistët por nga njerëz të cilët përcjellin axhenda të caktuara. Zakonisht shpërndahen në kohëra specifike, siç janë zgjedhjet apo siç ishte pandemia. Apo në Kosovë ndodh sa herë vjen puna te dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.”
Kjo situatë është bërë më e pranishme me lulëzimin e rrjeteve sociale, veçanërisht Facebook-ut. “Studimet e fundit tregojnë se Kosova ka më shumë përdorues të këtij rrjeti social për banorë. Shumë media duke qenë se nuk duhet të regjistrohen si të tilla, mjafton një domain që të hapin një web dhe ta quajnë portal.”
Në këtë inflacion portalesh dhe lajmesh, lexuesi e ka të vështirë të bëjë dallimin ndërmjet lajmeve të vërteta dhe propagandës apo lajmeve që vijnë nga grupe të caktuara interesi. “Gazetaria e shpejtë, sensacionale, për të qenë i pari që sjell një lajm do të thotë që shpejtësia nuk të lejon të bësh verifikimin dhe pastaj kjo e rrezikon gazetarinë e mirëfilltë.”
Qëllimi i këtij dokumentari është të luftuarit të lajmeve të rreme nëpërmjet edukimit. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës strehon 900 gazetarë ndërsa kemi afërsisht 2 milionë banorë. Është e pamundur që këta gazetarë të kryejnë punën e 2 milionë qytetarëve. Është mirë që njerëzit, sipas asaj që quhet ‘skepticizmi i shëndetshëm’, të jenë dyshues sepse jo çdo gjë që shohim në internet mundet të jetë e vërtetë. Ne kërkojmë që njerëzit të verifikojnë atë që lexojnë.”
Mulliqi shprehet se problemi më i madh që ka në Kosovë dhe Shqipëri është mospërgatitja e gjeneratave të reja për tregun e informacionit. “Ne besojmë fuqishëm se është e rëndësishme që edukimi medial të futet në kurrikulat mësimore. Duhet të mësojmë e të rrisim njerëz që të jenë konsumues të shëndetshëm të informatës. Në Kosovë dhe Shqipëri, ata që votojnë për herë të parë nuk janë të përgatitur. Janë votuesit klasikë që kanë dëgjuar çfarë është biseduar në familje, dhe kjo është e rrezikshme. Edukimi duhet të fillojë shumë herët.”
Në Kosovë dhe Shqipëri, për shkak të specifikave të gjuhës dhe prej mentalitetit, informacionet nga jashtë nuk kanë depërtuar vrullshëm. “Prodhuesit më të mëdhenj të lajmeve të rreme janë Kina dhe Rusia. Për fatin tonë të keq jemi rrethuar nga vende, në të cilat kanë depërtuar shumë këto informata duke destabilizuar rajonin. Ne duhet të luftojmë dhe të mos lejojmë të destabilizohemi për shkak të diçkaje që mund ta kontrollojmë.”
Dokumentari është realizuar në Washington DC, Los Angeles dhe Saint Petersburg, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të intervistuar janë akademikë nga Universiteti Amerikan në Uashington, si dhe fakulteti i gazetarisë Annenberg, pranë Universitetit të Kalifornisë së Jugut. “Jemi zotuar që do të mbledhim disa rekomandime që kemi marrë nga ekspertë të medias, gazetarë dhe qytetarë, dhe do t’i dërgojmë në Ministrinë e Arsimit për të treguar se sa e nevojshme është përfshirja e edukimit medial në kurrikulat e shkollave.”
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




