Mesazhe kërcënuese për bomba në dhjetëra shkolla në Malin e Zi, pezullohet mësimi

Rajon | 5 vite më parë

Në më shumë se 40 shkolla në Malin e Zi është pezulluar mësimi për shkak të marrjes së kërcënimeve për bomba të vendosura në ato shkolla.

Sipas mediave malazeze, shkollat anembanë Malit të Zi morën sot një  e-mail kërcënues ku shkruhej:

“Shumë bomba janë vendosur në territorin e shkollës. Gjithmonë kemi ëndërruar për hakmarrje. Ne do të marrim hak. Do të vijmë në shkollë. Do t’i vrasim të gjithë. Askush nuk do të mbetet gjallë. I gjithë qyteti do të përgjaket”. 

Drejtoria e Policisë ka dërguar ekipet për inspektim nëpër shkolla, ndërsa është bërë evakuimi i nxënësve në Podgoricë, Tivar, Kotorr, Ulqin, Rrozhajë, Kolashin, Nikshiq, Berane, Bijello Pollje, Herceg Novi, Cetinje,  Andrijevica, Budva, Danilovgrad, Mojkovac, Plavë, Guci dhe  Petrovac.

Përveç shkollave që kanë marrë njoftime për bomba të vendosura, një e-mail me të njëjtin kërcënim ka mbërritur edhe në adresat e komunave Nikshiq, Tivar dhe Berane. 

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i ka quajtur kërcënimet tentativa për të destabilizuar vendin para votimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Dritan Abazoviç.

“Ne nuk duhet të lejojmë që arsimi të vuajë për shkak të atyre që synojnë të provokojnë situata emergjente dhe të destabilizojnë shtetin përpara zgjedhjes së një qeverie të re, në prag të sezonit turistik”, tha Gjukanoviq në një reagim.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme