Mesazhi prekës nga fushata e PS për viktimat e Covid-it

Kronikë | 6 vite më parë

“Ata nuk ja dolën dot, por ne jemi bashkë për të…”! Ky ishte mesazhi prekës nga fushata e PS për viktimat e Covid-it. Nën tingujt e himnit kombëtar Partia Socialiste ka hapur fushatën elektorale. 153 kandidatët e pranishëm në aktivitet nderuan në këmbë himnin e kënduar nga këngëtarja Vikena Kamenica.

 Në sheshin Skënderbej nuk ka grumbullime, por janë të pranishëm vetëm kandidatët. Karriget ku janë ulur deputetët janë vënë në formë trëndafili siç është dhe simboli i PS. Më pas fjalën e parë e ka mbajtur kandidatja që kryeson listën e Shkodrës, Edona Bilali. Më pas e kanë marrë fjalën me radhë, Milva Ekonomi, Mirela, Kumbari, Erjon Bracce, si drejtues të listës në qarqe. Kandidatja e PS në Durrës Milva Ekonomi në aktivitetin e çeljes së fushatës ka deklaruar se kryeministri Edi Rama kandidon për herë të parë në Durrës ku sipas saj do të vijë me një projekt si në Vlorë. Në këtë mandat Ekonomi thotë se do të përfundohet rindërtimi për të hequr çdo gjurmë të tërmetit duke sjellë një pranverë të begatë.

“Ne në Durrës kemi një fat të jashtëzakonshëm. Si asnjëherë në këto 30 vite kandidon kryeministri jonë Edi Rama. Në Durrës ai do të vijë me një projekt transformues, siç erdhi në Vlorë.

 Për të përfunduar rindërtimin për të hequr çdo gjurmë të tërmetit dhe për të pasur një pranverë të begatë. Unë dua të bjë një apel, të veçantë për të gjitha vajzat e Durrësit por edhe të Shqipërisë. PS ka bërë shumë për të gjitha nënat për gratë kryefamiljare, për gjyshet dhe do të bëjë shumë për çdo grua”.

Aktori i njohur Petrit Malaj, kryesues i listës së qarkut të Kukësit për PS: Ja pyetja që i shtrova kryeministrit para se të pranoja propozimin dhe garancia që më dha. Aktori i njohur, Petrit Malaj, në këto zgjedhje elektorale është kryesuesi i listës së Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit. Ai tha, se para se të pranonte propozimin e kryeministrit Edi Rama, i ka bërë vetëm një pyetje, të vazhdojë më tej zhvillimin e qarkut të Kukësit.

“Edi Rama më ftoi për të marrë pjesë në këtë skuadër, më ftoi për të përfaqësuar Tropojën. I kërkova vetëm një garanci, që ndryshimet që kanë ndodhur në Tropojë, Kukës, Has, do të vazhdojnë përsëri. Ai ma garantoi këtë gjë dhe unë mjaftohem me fjalën e tij sepse Edi është person i fjalës edhe i punës. Qarku i Kukësit do e votojnë Ramën sepse është i punës. Edhe unë do ia kërkoj votën për këtë njeri të punës. Këtu është mbledhur puna e të gjithë të rinjve, në pasionin e ambicien e ndryshimit të mëtejshëm të vendit tonë. Rama do e çojë Shqipërinë në një nivel tjetër. Ka shumë për të bërë, do vazhdojmë punën që Shqipëria të bëhet e ardhmja e fëmijëve tanë”, tha Malaj.

Kushi mesazh të rinjve socialistë: Kur Rama më ftoi të bëhesha pjesë e PS, hezitova gjatë, por në fund vendosa dhe…

Në fjalën e saj nga Sheshi “Skënderbej”, kandidatja e PS, Evis Kushi, foli për ftesën që i është bërë nga kryeministri Edi Rama tetë vite më parë për t’u bërë pjesë e PS dhe punët e bëra në këto vite.

“Ftesën për t’u bërë pjesë e PS e mora 8 vite më parë, ku drejtoja Fakultetin Ekonomik në Elbasan. Në fillim hezitova gjatë, sepse nuk isha e bindur nëse duhet ta lija fakultetin për politikën, por në fund vendosa dhe i jam mirënjohëse Edi Ramës për këmbënguljen, sepse jo vetëm jam ndjerë e dobishme për komunitetin që përfaqësoj, por jam shumë krenare që së bashku kemi arritur të bëjmë shumë për qytetin tim, ku kam lindur, jam rritur, ku jetoj sot e po rris vajzat e mia. As në ëndrrat më të bukura nuk e kisha menduar që në Elbasan do të bëhej as shumë në këto vite, se sa në dhjetëra vite bashkë. E kam parë funksionimin e institucioneve nga një tjetër këndvështrim, i kam kuptuar më mirë sfidat e mëdha të vendit. Duhet shumë sakrificë, shumë punë, shumë durim, për t’i kthyer fjalët në vepra, idetë në projekte dhe qëllimet në realitet. Sot pas 8 vitesh, me shumë nder e krenari kandidoj për Elbasanin, por drejtoj edhe dikasterin më të rëndësishëm, Ministrinë e Arsimit. Dua t’iu them disa fjalë grave e vajzave që janë bashkuar së fundi: keni një sfidë të vështirë, por ama të bukur. Keni privilegjin e lartë për t’i shërbyer njerëzve, Shqipërisë sonë të dashur. Edi Rama ka energjinë, vullnetin, vizionin për të bërë Shqipërinë e së ardhmes. Ky është lidershipi që i duhet Shqipërisë së të ardhmes, prandaj kam besim që shumica e Shqipërisë do të votojë për njeriun e punës, jo për një grup njerëzish që janë karta të djegura”, tha Kushi.

“Shpëtuam nga thundrat e Metës dhe LSI dhe ka nisur ndryshimi”, kryesuesja e listës së Partisë Socialiste, Konomi: PS në Berat siguron 5 mandate

Hatixhe Konomi, kryesuesja e listës së Partisë Socialiste për qarkun e Beratit, gjatë çeljes së fushatës elektorale të PS, tha se Berati është duke lulëzuar nën qeverisjen e të majtëve. Ajo theksoi se qyteti është kthyer në një kantier të madh ndërtimi, që shënjon transformimin më tej të vendit. Më tej, Konomi premtoi se PS në qarkun e Korçës do të sigurojë 5 mandatë deputetësh.

“Berati prej shumë kohësh nuk pati numrin e vizitorëve që priste. Teksa qyteti degradonte çdo ditë, nuk e shihnim dorën e shtetit. Berati vuajti dhe nga thundra e Metës dhe e LSI, sepse na la që të trashëgonim një pushtet lokal, që ishte fisnor, i kushërinjve dhe dembel. Por situata në Berat ka ndryshuar tërësisht, është një kantier ndërtimi që nuk duhet të ndalet. Ndërkohë turizmi është i ardhmja jonë, sektorë shumë të rëndësishëm janë duke u zhvilluar me hapa galoponte, siç janë strehimi, agroturizmi. Nuk mund të lë pa përmendur përmbytjet që ndodhnin në Urën Vajgurore, tashmë i përket të kaluarës. Nuk lë pa përmendur, shfrytëzimin që i është bërë Malit të Tomorit, i përket të kaluarës. Shumë punë janë bërë në Berat, por shumë janë për të bërë. Kush më mirë se Edi Rama dhe Partisë Socialiste e bëjnë Shqipërinë të ardhmen tonë. Ne premtojmë që më 25 prill do i sjellim Parlamentit 5 deputetë në qarkun e Beratit”, tha Konomi.

Kryesuesja e listës së PS në Korçë: 25 prilli shans që nuk duhet humbur, jemi e vetmja alternativë për një Shqipëri më të mrië

Kryesuesja e listës së PS në Korçë, Sorina Koti në fjalimin për çeljen e fushatës elektorale i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos humbasin shansin e 25 prillit. Koti thotë se është shumë krenare që është në listën e PS, pasi qeveria e 8 viteve të fundit ka zhvilluar shumë Korçën.

Sipas saj PS është alternativ e vetme për një Shqipëri më të mirë dhe për të ecur përpara. ‘’Unë ndihem krenarë që jam pjesë e kësaj skuadre sepse me punën e palodhur që ajo kryen, ka bërë që Korça të jetë qytet model , por dhe nga destinacionet kryesote turistike. Nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ne me krenari na bën që ta themi, falë investimeve të qeverisë, në shumë projekte madhoer, si Pazari i Korçës, Muzeu i Artit Mesjetar, RIndërtimi i Teatrit, Materniteti, dhe shumë projekte të tjera.

Këto investime kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetët e qytetarëve, madje kemi edhe destinacione të tjera si Voskopoja, Dardha, Boboshtica. Nuk kemi lënë asnjë pa përmendur, pa prekur dhe pa qenë afër qytetarëve. Edhe fshatit që ka më shumë nevojë. Do doja t ë thoja se PS është e vetmja alternativë, kauzë që do të na çojë në të ardhmen që kërkojmë për fëmijët dhe të afërmit. Për një Shqipëri më të mirë. Një shans që nuk duhet humbur, jo vetëm për të zhvilluar Korçën, Pustecin, Pogradecin, Maliqin, Devollin, Kolonjën. ‘’- tha Koti.

Kryesuesja e PS në Vlorë: Ky është qyteti që më 25 prill ka një adresë të vetme, Edi Ramën

Kryesja e listës së PS në Vlorë, Pranvera Resulaj, tha se vlonjatët do të votojnë më 25 prill PS dhe Edi Ramën, pasi sipas saj, ata duan të vijojë transformimi rrënjësor.

“Sot të thuash që jam nga Vlora, do të thotë të jesh nga vendi ku vota për PS dhe Edi Ramën ka dhënë shpresën për të ardhmen. Vlora nuk është qyteti i mbushur me pluhur, Vlora është vendi që ka kthyer histori. Për të gjithë ata që duan të kenë transformime rrënjësore, Vlora është qyteti që më 25 prill ka një adresë të vetme, Edi Ramën dhe PS”, tha Resulaj.

Kumbaro për qarkun e Gjirokastrës: E transformuar falë PS, të nxisim banorët për votën, për ta çuar përpara zhvillimin e vendit!

Ish-ministrja e Kulturës, tashmë kryesuesja e listës së Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, tha gjatë çeljes zyrtare të fushatës, se ky qark, kalon përmes zhvillimit vetëm me PS në krye. Kumbaro tha se nën qeverisjen e PS, qarku i Gjirokastrës është kthyer në një thesar turistik, i gatshëm për t’u eksploruar nga qytetarët.

“Si gjirokastrite kam kaluar një pjesë të mirë të pjesës time duke qëndruar në dy bashki, nga shtatë të Gjirokastrës. Nuk e harroj vitin 2014, kur e ndieja Gjirokastrën të trishtuar. Kishte vetëm një hotel dhe asnjë restorant. M’u duk Gjirokastra shumë e rëndë, në rrënimin e saj. Por ishte një vizion, i vetmi që mund të më jepte shpresën, jo vetëm mua, port ë gjithëve, vizioni i Rilindjes Urbane, për ta nxjerrë Gjirokastrën, Përmetin, Dropullin nga errësira. Rilindja Urbane ishte një vizon që i ktheu bashkitë e qarkut të Gjirokastrës një sinonim të turizmit. Shikoni vetë ç’është sot Gjirokastra. Ka një rrjet të tërë hotelesh, që kanë ardhur falë vizionit tonë. Sot, Përmeti, qyteti që deri pak vitesh, apo Këlcyra, s’kishin ujë, ndërkohë që ishin në mes të ujërave. Tepelena është bukuroshja e fjetur, tashmë e zgjuar me kalanë dhe bukuritë që ka. Këta janë vizioni i së ardhmes, për mandatin e tretë. Nuk dua të zgjatem dhe ftoj të gjithë për dy gjëra. E para të kaloni fundjavat në qarkun e Gjirokastrës, është një thesar që ju pres. Nxisni çdo banorë, votues, qytetarë e fshatar që nuk ka alternativa më të mirë se PS dhe vizioni i skuadrës sonë dhe liderit të saj Edi Rama. Nuk jam vetëm sot, jam me një skuadër fantastike, me atë që ishim me Çuçin edhe në vitin 2017-ë. Tashmë me ballin lart, kemi arsyet dhe zërin për t’i kërkuar të gjithëve të flasin për vizionin tonë. kemi katër vite që jemi në fushatë, kantieret do të vazhdojnë më 25 prill për të votuar dhe me 26 prill për të mos u ndalur”, tha Kumbaro.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme