Metoq fshati që zhvillon blegtorinë dhe bujqësinë

Është vetëm 5km larg qytetit të Sarandës dhe quhet Metoq, fshati i krijuar nga banorë të ardhur këtu me kalimin e viteve. Fshat me traditë blegtorinë dhe bujqësinë, me banorë të dashur e puntorë që mbajnë akoma të lulëzuara fushat e fshatit të tyre me një punë të palodhur. Shumica e banorëve të tij, janë larguar në mërgim prej të cilit mbajnë edhe familjet e tyre. Të tjerët vazhdojnë të qëndrojnë këtu për të punuar dhe jetuar. Një ditë të zakonshme, i gjejmë disa nëpër oborret e banesave të tyre e disa në qendër të fshatit të tyre nga ku edhe n’a tregojnë pak të dhëna dhe pak histori.
Jetesa këtu është e qetë dhe e bukur por e vetmja plagë duket se është largimi i të rinjve në mërgim. Të shumtët kanë ngelur të moshuar, të cilët për rtsh-Gjirokastra, mes lotësh tregojnë se fëmijët u mungojnë bashkë me ta edhe gjallëria e fshatit pasi këtu nuk vijnë turistë.
“Unë kam ardhur në 70-tën këtu. Atëhere merreshim banorët me blegtori, me fusha, me bujqësi, kishte punë madje kishte shumë punë. Pastaj u prishën ato dhe njerëzit ikën. Ne nuk ikëm ngelëm këtu. Tani pak banorë janë këtu. Lulëzimi me pemë, me ullinjë e me të tëra ka qenë në kohën e Enverit. Tani zhvillohet bujqësia edhe blegtoria akoma. Plot mbushen fushat cep nuk ngelet pa punuar, prodhimet shiten sepse ata nuk mbjellin pak, mbjellin hektarë me ato jetojnë dhe ata që merren me bujqësi, jetojnë shumë mirë. Banorët e tjerë jane larguar në emigrim atje u ka pëlqyer te jetojnë. Unë për vete nuk kam ikur me plakun. Edhe djali më iku disa vite dhe u kthye. Patjetër n’a mungon gjallëria e fshatit. Jemi një fshat shumë afër rrugës dhe kjo gjë n’a favorizon shumë, shkon makina tek dera tani të meta fshati ka, se kudo që të shkosh ka” shprehet një banore e fshatit.
“Unë s’kam shumë kohë këtu, kam nja 52 vjet jam 73 vjeçe. Ky është një fshat i krijuar nga të vjetrit fare, kemi ardhur këtu, kemi punuar. Lulëzimi i fshatit ka qenë nga 68-ta , 70-ta atëhere venim në fushë, dikush merrej me bujqësi, kush kishte bagëti merrej me to. Unë isha puntore e shtetit dhe nuk kisha asgjë, burri më punonte në ushtri, ishte socialist komunist siç e thonin atëhere. Tani janë bërë shumë se kanë ardhur ca andej e ca këtej, mirë jemi me njëri tjetrin nuk bëjmë llafe nuk zihemi, jami banorë puntorë. Tani kanë ardhur nga rrethet e tjerë dhe ka shumë banorë. Tani ca kanë ikur, unë kam 6 fëmijë të gjithë kanë ikur edhe banorët e tjerë kanë ikur në Europë nëpër botë. N’a mungojnë të rinjtë po s’kemi ça bëjmë, n’a mungon gjallëria e atyre viteve, dashuria e atyre viteve”, shprehet një e moshuar.
“Unë me origjinë jam nga Përmeti. Kam ardhur këtu në Metoq më 22 prill të 69-tës, kam qenë ushtarak, kam punuar në fermë. Këtu kishte pak minoritarë, pastaj u bë ferma e bëri partia e punës, u bënë godinat, sollën punëtorë, u bë ferma e shtetit, punonin të gjithë. Kanë qenë dy sektorë, sektori i bujqësisë dhe sektori i blegtorisë. Sektori i bujqësisë qe, fusha, blegtoria, qe, sektori i lopës dhe dërrit, por këto nuk egzistojnë më tani. Qenë ato pa punësoheshin njerëzit, s’janë ato, nuk kanë ku të punojnë. Metoqi në vitin 61 kishte 300 frymë. Emrin Metoq nuk e di nga se e ka marrë, është fjalë e huaj, ndoshta nga greqishtja se thonë që ka Metoq edhe në Greqi. Sipas të thënave që kam dëgjuar, kanë ardhur ca nga Mesopotami, ca nga Lëkurësi i vjeter. Koha e lulëzimit të fshatit nga ana ekonomike, ka qenë atëhere. Tani me përafërsi, ka diku tek 100 banorë, merren me bujqësi dhe ata që kanë mjetet, bëjnë tonelata misri dhe e shesin. Bujqësia, është baza e ekonomisë së një shteti” shprehet një i moshuar.
Edhe pse shumë afër rrugës kryesore dhe qytetit të Sarandës fshati Metoq nuk e shikon si perspektivë turizmin ndërsa turistët banorët i shohin thjesht si kalimtarë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




