Ministeriali ballkanik në Romë, Meloni: Integrimi i Ballkanit Perëndimor, investim strategjik për sigurinë e Evropës

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka kryesuar të hënën në Romë, takimin ministror për Ballkanin Perëndimor, me qëllim konsolidimin e rolit të Italisë në procesin e anëtarësimit të rajonit në BE, i cili po përshpejtohet pas pushtimit rus të Ukrainës.
Në këtë takim ishin të pranishëm ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström, si President i Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi.
Ky takim u orientua në promovimin e integrimit evropian të vendeve ballkanike, me Romën zyrtare që dëshiron të luajë një rol udhëheqës dhe synon të lehtësojë procesin duke nxitur dialogun si dhe investimet.
Këtij ministeriali i është drejtuar me një mesazh edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila ka thënë se një përshpejtim i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian do të rriste stabilitetin.
Kryeministrja italiane, nga ana e saj, theksoi vlerën strategjike të integrimit dhe kërkoi ruajtjen e vrullit. Në mesazhin e saj hapës, kryeministrja italiane vuri në dukje se Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë “me rëndësi strategjike” për Italinë.
Qeveria e saj, theksoi ajo, synon të forcojë lidhjet politike, ekonomike dhe kulturore të Romës me këto kombe, pasi “çdo gjë që ndodh përtej Adriatikut në mënyrë të pashmangshme ka një reflektim të menjëhershëm mbi ne” dhe Italia mban “një përgjegjësi të madhe” ndaj tyre.
“Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është një investim strategjik për vetë sigurinë e Evropës dhe stabilitetin të zonës, aq më tepër në kontekstin aktual ndërkombëtar dhe në dritën e ekspozimit në rritje ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike. Italia është kontribuesi kryesor evropian për sigurinë e rajonit me misionet KFOR, EUFOR, ALTHEA, dhe synon të vazhdojë në këtë drejtim me vendosmëri të madhe. Ne kemi nevojë për angazhimin e të gjithëve për të çuar përpara procesin e pajtimit rajonal dhe për të rritur përpjekjet për të kapërcyer barrierat dhe pengesat që e pengojnë rajonin të shfrytëzojë potencialin e tij.”– tha Meloni në mesazhin e saj përshëndetës për ministerialin, të publikuar nga Decode39.
Duke vënë në dukje se BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vendosën burime të konsiderueshme në dispozicion të rajonit, kryeministrja Meloni theksoi nevojën për të “ecur përpara së bashku” për të zbatuar në mënyrë efektive Planin Ekonomik dhe të Investimeve, duke “forcuar kështu ekonominë e rajonit dhe përshpejtimin e integrimit të tij në tregun e përbashkët.”
“Unë mbetem e bindur se mënyra më e mirë për të stabilizuar plotësisht Ballkanin është ankorimi i përhershëm i rajonit në familjen evropiane,”- theksoi ajo, duke vënë në dukje se në vitin 2022 Italia mbështeti hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Bosnjë- Hercegovinës statusin e kandidatit.
“Tani duhet ta ruajmë këtë moment dhe të vazhdojmë me vrull, duke përdorur të gjitha stimujt në dispozicion.”– theksoi Meloni.
Xhaçka: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, vendimtar për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës
Lidhur me këtë ministerial, është shprehur edhe shefja e diplomacisë shqiptare, Xhaçka, e cila ishte e pranishme krahas homologëve të saj ballkanik.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Xhaçka thekson se i ka shprehur mirënjohje kolegut të saj Antonio Tajani, për rolin dhe qëndrimin e tij vençanërisht ndaj rajonit të Ballkanit.
“Italia është një mike e vërtetë e Shqipërisë dhe mirëpresim të punojmë ngushtë së bashku për të zgjeruar më tej bashkëpunimin tonë në fushën e ekonomisë dhe veçanërisht atë të energjisë. Nënvizova se agresioni i paligjshëm i Rusisë në Ukrainë ka kërcënuar sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës, gjithashtu në të njëjtën kohë ka rritur angazhimin dhe bashkëpunimin e BE- së me rajonin tonë. Theksova se siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet vendimtar për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës. Rajoni sot është një partner shumë më i besueshëm dhe konstruktiv. Si drejtuese e Procesit të Berlinit Shqipëria po i përqendron përpjekjet e saj drejt zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit për Investim Ekonomik në Ballkanin Perëndimor.“– shkruan Xhaçka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




