Ministri Balla nga Tropoja: Hetimi i plotë dhe zbardhja sa më shpejt të ngjarjeve të vjetra kriminale, t’i japim fund pandëshkueshmërisë

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi sot një vizitë në Bajram Curri, ku u takua me punonjësit në Komisariatin e Tropojës.  Balla vlerësoi punën e forcave të rendit në rritjen e sigurisë në tërësi, e posaçërisht për kujdesin e shtuar ndaj numrit të lartë të turistëve. Më tej ai kërkoi hetimin e plotë dhe zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve të vjetra kriminale.

‘Asnjë ngjarje kriminale me numrin e lartë të turistëve, që erdhën për të shijuar burimet e bukura natyrore. Kemi arritur në konkluzionin se forca dhe sundimi i ligjit në Tropojë është në koeficientin më të lartë dhe merita i takon secilit prej jush, drejtuesve dhe mbi të gjitha banorëve të zonës. Vitin e ardhshëm do të kemi më shumë turistë, duhet rritur përgjegjësia. Hetimi i ngjarjeve të vjetra dhe dhënia fund e pandëshkuemërisë duhet të jenë vëmendja kryesore’, deklaroi ai.

Ministri foli për domosdoshmërinë e forcimit të kontrolleve policore, kundër armëmbajtjes pa leje.

‘Duhet dekurajuar armëmbajtja pa leje. Do të minimizosh fenomenin e ngjarjeve kriminale, lufto armëmbajtjen pa leje! Sepse pjesa më e madhe e ngjarjeve ndodhin në gjaknxehtësi dhe posedimi i një arme pa leje është burim i një krimi të rëndë, kundër jetës së një personi. Thirrje banorëve, t’i vetëdorëzojnë armët pa leje. Na duhet të rritim komunikimin me komunitetin. Do të nisim një fushatë, vitin e ardhshëm, duke incentivuar dorëzimin e armëve pa leje’, apeloi ministri.

Ministri tha se puna duhet të intensifikohet në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndaj pronës dhe mjedisit. Këto mbeten sipas tij, ndër detyrat kryesore të Policisë dhe Prokurorisë.

‘Punën e policisë do ta bëni ju, ministri do të bëjë punën për trajtimin e duhur financiar të PSH. Jam i gëzuar që ditët në vijim bashkë me KM do të shkojmë tek policët që kanë fituar kredi falas për banesa nga qeveria. Janë mbyllur 92 të parat, vitin e ardhshëm do jenë 300 kredi dhe 500 pas 2 vitesh. Me aktin normativ kemi siguruar fondin për pagesën e ushqimit, për çdo punonjës policie, mbi 1 milion lekë (të vjetra) në vit. Me fondin që kemi përcaktuar për rritjen e pagave për 2024, synoj të shkojmë tek një rritje 30% të pagës së çdo polici, nga 1 korriku 2024, duke i dhënë prioritet nivelit bazë. Duhet të gjejmë një zgjidhje edhe për orët jashtë orarit’, deklaroi Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme