Ministri grek takohet në ambientet e paraburgimit me Fredi Belerin

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Janis Ikonomu (o. Yiannis Oikonomou) është takuar këtë të premte (15 shtator) me kreun e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri në ambientet e paraburgimit të Durrësit.
Ministri i Brendshëm erdhi një ditë më parë në Shqipëri për Ministerialin e Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ministri Ikonomu zhvilloi dhe një takim me homologun shqiptar Taulant Balla, ku ngriti për diskutim çështjen “Beleri”.
Ikonomu deklaroi se Belerit po i cenohet e drejta për t’u betuar si kryebashkiak dhe për të ushtruar detyrën.
“Po ashtu i ngrita homologut tim çështjen e paraburgimit të zgjatur të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, z. Fredi Beleri, dhe mbi të gjitha, cenimin e të drejtës së tij për t’u betuar dhe për të ushtruar detyrat si një kryebashkiak i zgjedhur në mënyrë demokratike, që shkel, ndër të tjera, edhe parimin e prezumimit të pafajësisë dhe del kundër legjislacionit europian, i cili është kushti më parësor për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ministri Ikonomu në rrjetin X.
Gjykata e Posaçme mbajti një ditë më parë seancën e parë ndaj të pandehurit Beleri, pasi SPAK kërkon gjykimin e tij për korrupsion zgjedhor me akuzën e blerjes së votave për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Kryebashkiaku i zgjedhur i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta shpallë të paligjshëm arrestimin e tij në flagrancë dhe përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës me person të infiltruar. Beleri u arrestua më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore, nga ku ai rezultoi fitues. Beleri falenderoi qytetarët që e votuan, ndërsa nuk mundi të betohej për shkak se ndodhej në paraburgim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




