Ministri i Jashtëm grek vizitë në ambasadën shqiptare në Athinë, Hajdaraga: Dendias, rol konstruktiv në bashkëpunimin mes dy vendeve

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Niko Dendias ka vizituar ambasadën shqiptare në Athinë duke shënuar një moment historik në vigjilje të përvjetorit të 52-të të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, Luela Hajdaraga ka shprehur mirënjohjen për rolin e veçantë të kryediplomatit grek dhe për bashkëpunimin konstruktiv midis Greqisë e Shqipërisë.
“Ambasadorja e RSH-së në Athinë, znj. Luela Hajdaraga shoqëruar nga personeli diplomatik i Ambasadës kanë rezervuar një pritje të ngrohtë tradicionale shqiptare në nder të z. Dendias, i cili gjatë mandatit të tij si Ministër i Jashtëm ka kontribuar në mënyrë proaktive në lartësimin e nivelit të marrëdhënieve dypalëshe.
Duke e cilësuar si mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Ambasadorja Hajdaraga i ka shprehur Ministrit Dendias mirënjohjen e veçantë për rolin e tij, me bindjen se lidhjet historike mes popujve tashmë janë konvertuar pakthyeshmërisht në bashkëpunime konstruktive mes dy vendeve tona dhe në rajon më gjerë”, thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare në Greqi.
Gjithashtu, ministri i Jashtëm, Niko Dendias ka marrë pjesë si i ftuar special nga ambasadorja Hajdaraga, në drekën e punës shtruar në kuadër të takimit të grave ambasadore të akredituara në Greqi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




