Ministri serb i ekonomisë është shprehur për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës

Rajon | 4 vite më parë

Ministri serb i ekonomisë Rade Basta është shprehur se mbështet vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe iu bëri thirrje anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar të lëshonin një deklaratë dhe të ndërmerrnin një pozicion të unifikuar për këtë cështje. Basta, i cili gjithashtu është anëtar i partisë konservatore Serbia e Bashkuar, tha se vendi i tij po paguante një çmim të rëndë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Moskës. 

Në Instagram, ai gjithashtu argumentoi se Serbia nuk mund të qëndronte e heshtur përball agresionit rus. “Vendi ynë po paguan një çmim të rëndë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Si ministër ekonomie, nuk mund të pranoj që një presion i përmasave të tilla të ushtrohet ndaj presidentit Aleksander Vuçiç dhe ne të qëndrojmë në heshtje. Prandaj jam pro vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Jam në krah të presidentit Vuçiç në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtar, dhe kam besim absolute tek ai”, u shpreh Basta. Ai gjithashtu pranoi se Serbia nuk do ta merrte lehtësisht një vendim për sanksione. “Si një vend që vetë është përballur me sanksione më parë dhe populli i të cilit ka vuajtur pasoja të rënda ekonomike, Serbia pati shpresuar se konfliktet do të merrnin fund dhe se arsyeja do të triumfonte. Megjithatë me kalimin e kohës, realiteti ka ndryshuar dhe konflikti nuk ka shenja se do të përfundojë. Vendet e vogla gjithmojnë vuajnë përballë atyre të mëdha, dhe për shkak të trazirave btoërre, Serbia po përballet me presione të tmerrshme”, u shpreh ministri serb i ekonomisë.  

Por deklarata e tij nuk është pritur mirë në vend. Lëvzija e Socialistëve të Serbisë, e drejtuar nga Aleksandër Vulin, drejtor i Agjencisë së Inteligjecës së Sigurisë, ka bërë thirrje për shkarkimin e Bastas. “Në momentin që kemi nevojë për unitet, Basta kërkon të përçajë qeverinë e Serbisë mbi çështjen e vendosjes së sanksioneve të jashtëligjshme ndaj Federatës Ruse. Është e turpshme që ai fshihet pas presidentit të Serbisë, në mënyrë që të minojë pavarësinë dhe neutralitetin të cilat Alenskandër Vuçiç i mbron si ndaj të huajve ashtu edhe ndaj burracakëve të tillë”, u shpreh lëvizja në një deklaratë. 

Ndërsa zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova, theksoi se nëse Serbia do të vendoste sanksione ndaj Rusisë, kjo nuk do ta ndalonte presionin nga SHBA. Krejt e kundërta, ky presion do të intensifikohet, tha Zakharova e cila gjithashtu shtoi se ndryshe nga SHBA, Rusia gjithmonë ka treguar respekt për Serbinë dhe popullin e saj. 

 

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme