Ministrja Balluku: Gratë mundësi të shkëlqejnë kudo, u ofrohen shanse të barabarta me burrat!

Sociale | 3 vite më parë

Gratë sot në Shqipëri kanë mundësi të shkëlqejnë kudo, në fushën e biznesit, artit apo politikës, pasi atyre u ofrohen të njëjtat shanse me burrat.
Deklarata vjen nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në konferencën e mbajtur sot me temë “Ajo drejton – kushtuar grave sipërmarrëse shqiptare”.
Zonja Balluku një drejtuese e lartë edhe në PS, tha se “Për ne në Partinë Socialiste, nuk ka qenë problem barazia gjinore. Për ne ka qenë e rëndësishme të ndërtojmë një sistem meritokracie që gratë të mund të konkurrojnë njëlloj me burrat. Ne kemi një qeveri ku 70 % e kabinetit janë gra” tha zonja Balluku.
Numri dy i qeverisë shqiptare tha se se duhen mbështetur gratë në zonat rurale dhe se qeveria ka ngritur skema të veçanta për mbështetjen e iniciativave të tyre.
“Ne punojmë çdo ditë për të fuqizuar rolin e gruas në sipërmarrje. Është detyrë e jona si qeveri të mbështesim edhe zonjat që jetojnë jashtë zonave urbane. Kjo është një nga politikat që ne kemi. Po punojmë jo vetëm me Ministrinë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, por edhe përmes skemave të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural për të mbështetur çdo iniciativë të tyre”, deklaroi Balluku.
Ministrja u shpreh se studimet kanë treguar se pas vitit 2021, që përkon edhe me kohën pas pandemisë, kemi rritje të numrit të grave dhe vajzave që kanë marrë guximin për të qenë vetë sipërmarrëse. “Gratë në sipërmarrje kanë disa avantazhe, janë të vendosura, janë të pavarura, kanë iniciative dhe kur e nisin diçka e nisin pas një analize që kanë bërë me veten e tyre. Gratë sipërmarrëse janë ato që ngrihen para se të lindë dielli e mundohen të kontribuojnë për të ardhmen” zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme