Ministrja Spiropali: Basha nuk u shpëton dot parave ruse

Politikë | 3 vite më parë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka paralajmëruar të shtunën kryetarin e PD-së, Lulzim Basha se nuk shpëton dot nga afera e parave ruse.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se Basha nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

“Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do hidhte në erë “regjimin monist” të Edi Ramës në Tiranë! Por halle- halle kjo dynja, halli- hallit nuk i ngjan! Kështu, teksa Saliu u mbajt fort të mos binte nga ballkoni, kur “regjimi monist” i Tiranës në vend të bombës imagjinare mik priti vetë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Lulëzimi u ngrit nga krevati për të thënë se gjykata amerikane e paskësh dënuar, sipas tij, Mc Gonigalin, duke e fajësuar se ka dashur të nxijë për llogari të Edi Ramës faqen e bardhë të bukuranit Lul!”, shkruan Spiropali.

 Sipas saj, deklaratat e Bashës nuk kanë asnjë lidhje me realitetin ku ai, sipas Spiropalit, vegjeton.

“Paratë ruse me të cilat financove çadrën e lirisë dhe e damkose PD-në në raportet serioze amerikane ishin para ruse, janë para ruse dhe do të mbeten para ruse! S’ka ëndërr që të shpëton nga hija e atij pazari të pisët në dëm të Shqipërisë dhe s’ka shqiptar që të beson më kur zgjohesh nga gjumi. Prandaj kthehu në anën tjetër e vazhdo fli dhe rrofsh që kur zgjohesh na bën për të qeshur, edhe pse demokratët i bën për të qarë kur u kujton se sa gjatë i mbajte peng në realitetin tënd paralel”, mbyll postimin Spiropali.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme