Ministrja Spiropali: Nuk ka zgjedhje të parakohshme

Politikë | 3 vite më parë

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht edhe drejtuese politike e PS-së në qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropali, deklaroi të premten se nuk ka zgjedhje të parakohshme në vend.

Këtë deklaratë ajo e bëri pas mbledhjes me Asamblenë e PS-së në Shkodër, duke nënvizuar se nuk ka asnjë diskutim për zgjedhje të parakohshme.

“Nuk ka zgjedhje të parakohshme. Kur të ketë ju do jeni të informuar, por deri më sot ne jemi me një mandat të plotë dhe në një mandat për të realizuar premtimet tona si qeveri dhe këtë do bëjmë”, tha ajo për mediat.

Lidhur me reformën zgjedhore, Spiropali tha se të gjitha çështjet do të adresohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.

“Reforma Zgjedhore nuk rrezikon të dështojë sepse komisionit bipartiak shpresojmë që të funksionojë. Ne kemi rekomandimet e ODIHR-it, të cilat janë udhërrëfyes. Nuk janë vetëm ndryshime ligjore, janë edhe çështje të tjera institucionale të cilat duhen adresuar. Jam e bindur që të gjitha çështjet do mund t’i adresojmë përpara zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që të jenë. Ka ndryshime ligjore që mund të duhen 84 vota në qoftë se bëhen ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Ka edhe çështje të tjera të cilat mund të adresohen në mënyra të tjera. Ne nuk e kemi ngritur Komisionin e Reformë Zgjedhore që të diskutojmë për karrigen e njërit apo të tjetrit”, tha ajo.

Spiropali u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen me njëri-tjetrin, pasi, sipas saj, nuk mund të jetë Kuvendi zgjidhja për strategjitë e tyre radikale.

“Kjo situatë nuk na pëlqen jo vetëm ne, por as opinionit publik dhe qytetarëve të këtij vendi. Nuk u pëlqen që në Kuvend të shohin zjarr, flakë, bilbila. Ata duan të dëgjojnë zërin e deputetëve të zgjedhur, duan të dëgjojnë mendimet qoftë edhe kritike për projektligjet apo të tjera. Urojmë që çështjet që i pengojnë deputetët e PD-së dhe këtu nuk po i ndaj në të kujt e si, por po them që të gjithë ata bashkë duhet që t’i kthehen rrugës së arsyes, duhet që të gjejnë një pikë që i bashkon, të bëjnë së pari bashkimin mes tyre sa i takon strategjive që duhet të zgjedhin si në Kuvend ashtu edhe strategjive elektorale dhe nuk mund të jetë Kuvendi zgjidhja për strategjitë e tyre radikale. Ata kanë gjithë drejtën e tyre të protestojnë, të shkojnë në rrugë pa krye, por kjo nuk është rruga e Kuvendit të Shqipërisë.”, tha Spiropali.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme