Miratohet me 96 vota pro Marrëveshja për Kolegjin e Europës në Tiranë, Manastirliu: Ngjarje historike

Me 96 vota pro, Kuvendi ka miratuar këtë të enjte (18 prill) ligjin për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Kuvend e konsideroi një “ngjarje historike” për arsimin e lartë shqiptarë pasi, sipas saj çelet një faqe e re në rrugën e nisur drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve.
“Kjo marrëveshje i hap rrugë çeljes së Kolegjit të Europës, Kampusit të Tiranës, në vitin akademik 2024-2025 për 31 të rinj që janë pranuar dhe që do të nisin studimet pasuniversitare, me programin e studimit: “Transformimi dhe Integrimi Europian: Bashkimi Europian dhe Europa Juglindore. Jetën e vet dega e Kolegjit të Europës në Tiranë do ta nisë në Godinën “Liria” të Universitetit të Tiranës, një godinë me domethënie simbolike dhe historike nga ku nisi thyerja e izolimit dhe mori udhë demokratizimi i vendit.
Programet e studimit që do të ofrohen nga Kolegji në Tiranë do të kenë të njëjtat standarde si ato të ofruara në departamentet e tjera, nën mbikëqyrjen e Këshillit Akademik të Kolegjit dhe të akredituar nga Organizata e Akreditimit e Holandës dhe Flanders. Qeveria shqiptare do të investojë për ngritjen e Kampusit të ri të Kolegjit si dhe do të ofrojë deri në 5 bursa në vit”, tha Ministrja Manastirliu.
Votimi në Kuvend ishte hapi final përpara hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë këtë vit akademik. Këtë vit akademik janë 31 studentë që janë përzgjedhur nga Kolegji i Evropës ndërmjet mbi 240 aplikantëve dhe do të vijojë për vitin e dytë me 50 studentë e më tej, do të zgjerohet në vitet në vijim.
Në nisjen e funksionimit të Kolegjit të Evropës, ai do të vendoset në Godinën “Liria” të Universitetit të Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



