Mitsotakis: BE të integrojë Ballkanin Perëndimor brenda 2033! T’i hapet rruga Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i ka kërkuar Bashkimit Europian të sigurojë integrimin e të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2023. Në një shkrim të botuar në ‘Politico’ përpara samitit që po mbahet në Selanik,  Mitsotakis e konsideroi këtë një hap ambicioz, por të nevojshëm.

Sipas tij, hapi i radhës duhet të jetë mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Mesazhi im sot është i qartë: në përputhje me kriteret e përcaktuara, le të kërkojmë integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2033. Ky është një plan kohor ambicioz, por i arritshëm. Tashmë jemi shumë vonë. Dhe hapi i parë duhet të jetë vendimi, pas dy javësh në Bruksel, për të zhbllokuar kursin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Është koha që Bashkimi Evropian të njohë rëndësinë ekzistenciale të integrimit të këtij rajoni në familjen evropiane dhe të përshpejtojë me besim hapat e tij drejt arritjes së kësaj, duke filluar nga Ballkani Perëndimor. Është koha për të vënë sërish në orbitë zgjerimin europian”, ka thënë Mitsotakis.

Kryeministri tha gjithashtu se ndryshime të tilla të thella, referuar luftës në Ukrainë, kërkojnë që BE-ja të ketë menjëherë një debat të brendshëm serioz dhe të ndershëm për të ardhmen e zgjerimit.

“Në Ballkan, si kudo, ka elementë armiqësorë që kërkojnë të minojnë përpjekjet tona. Ata kanë një perceptim konkurrues për botën dhe aspirata që shkelin të drejtat e njeriut , sundimin e ligjit dhe liritë themelore. Ata përdorin gjuhën e inatit, revizionizmit dhe nostalgjisë perandorake. Ata mendojnë se mund të shtypin shpirtin njerëzor me frikësimin dhe shfaqjen e fuqisë ushtarake. Nuk mund të lejojmë që të krijohet një vakum në të cilin faktorë të tillë do të gjejnë hapësirë ​​për të vepruar. Një vend ku ata mendojnë se mund të kenë sukses”, tha Mitsotakis./ CNN.gr

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme