Mjeku neurokirurg, Sallabanda: Përgjegjësi e dyfishtë kur kam pacientë shqiptarë

Mjeku neurokirurg Kita Sallabanda ishte i ftuari i gazetarit Andri Xhahu në emisionin “Në radio” që u transmetua paraditen e sotme në Radio Tirana 1. Dr. Sallabanda është drejtor mjekësor në Institutin e Radiokirurgjisë së Avancuar, shef i Departamentit të Neurokirurgjisë në “Virgen del Mar” Madrid dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë atje. Dr. Kita Sallabanda Diaz shpjegon se përse mban dy mbiemra.
“Sepse në Spanjë mbahet emri yt, mbiemri i babait dhe mbiemri i nënës. Nëna ime është nga Spanja. Është një nga spanolljët që ikën nga vendi në kohën e Luftës Civile. Ajo shkon në Bashkimin Sovjetik ku njeh babanë tim. Më pas ata vijnë të dy në Shqipëri.” Doktori tregon se profesionin nuk e ka të trashëguar nga familja. “Ishte dëshira e prindërve që unë të bëhesha mjek. Të dy prindërit e mi kanë qenë inxhinierë, nëna inxhiniere tekstili ndërsa babai inxhinier ekonomist. Xhaxhai im ka qenë nga juristët e parë në Shqipëri.”
Megjithatë profesionin e ka trashëguar tek e bija. “Vajza ime është një mjeke e shkëlqyer. Ka mbaruar doktoratën. Është një mjeke me shumë kualitete. Punon pjesërisht në institutin që unë drejtoj dhe pjesërisht në një qendër shumë të madhe të radioterapisë.”
Pas studimeve të larta për mjekësi, në vitin 1991 shkon në Spanjë për specializim për t’u rikthyer pas disa vitesh. “Në vitet 1997-2000 isha konsulli i Spanjës në Tiranë. Në atë kohë bëja detyrën e ambasadorit spanjoll. Ishin vitet e vështira të luftës së Kosovës. Isha përgjegjësi politik i të gjithë ndihmës së Spanjës për Kosovën.”
Përfundimisht vendoset në Madrid në vitin 2000 ku vijon karrierën si mjek. Midis shumë vlerësimeve, në vitin 2012 ka marrë “Medaljen e Artë të Akademisë Spanjolle të Mjekësisë”. Dr. Sallabanda tregon se mjekësia është një profesion që të bën njerëzor.
“Nuk mund të jesh mjek në qoftë se nuk je humanitar, nëse nuk jeton me të sëmurin, nuk qan, nuk qesh dhe nuk diskuton me të. Mund të jesh teknik, mekanik por jo mjek.” I pyetur se cili ka qenë rasti që ka mbetur i pashlyer në kujtesën e tij profesionale, ai ndalet te njëra prej tyre. “Është historia e një vajze së cilës i bëra një ndërhyrje që nuk e merrte përsipër asnjë mjek. Kjo sepse duhej kurojë për ta bërë atë ndërhyrje, një malformacion vaskular shumë i madh. Dhe kur ajo lindi fëmijën e parë i vuri emrin tim. Emri im është Nikita por në kohën e komunizmit e kanë ndryshuar që të mos ishte e ngjashme me Nikita Hrushovin. Dhe ajo i vuri emrin Nikita Nikolas. Erdhi më takoi kur fëmija bëri një vjeç dhe më tha se dua të njohësh fëmijën tim.”
Por kur përballë ka pacientë shqiptarë, ai shprehet se përgjegjësia është e dyfishtë. “Para disa kohësh operova një djalë shqiptar dhe i thashë: ‘Për mua ka dyfish përgjegjësi, e para që je pacient dhe e dyta që je nga Shqipëria.’ Ata më shohin jo vetëm si mjek por si njeriun e tyre, si mbështetje. Ka pasur pacientë shqiptarë që nuk dinin asnjë fjalë spanjisht dhe më shihnin si familjarin e tyre.”
Në lidhje me fenomentin e largimit të mjekëve shqiptarë, Dr. Sallabanda tregon se një fenomen i ngjashëm po ndodh edhe në Spanjë.
“Unë kam qenë gjithmonë i teorisë që njerëzit të bëjnë zgjedhje të lirë në jetë por mbështes edhe idenë që qeveria duhet të marrë masa të mbulojë kërkesat e vendit për mjekësi. Duhet të gjendet ekulibri mes lirisë dhe nevojës. Edhe në Spanjë kemi një fluks mjekësh që ikin në Gjermani, Angli, Zvicër apo Francë. Edhe në Spanjë po ndodh ajo që quhet rrjedhja e trurit. Ka mangësi të mjekëve por vijnë shumë nga Amerika Latine.”
Si anëtar i Bordit të Akreditimit të Universiteteve në Shqipëri, doktori shprehu dëshirën dhe angazhimin për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




