Mjeshtri botëror, Zubin Mehta, koncert në TKOB! Dirigjon Orkestrën e Beogradit, e cila vjen në Tiranë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”

Kulturë | 3 vite më parë

Mbrëmjen e 22 Qershorit, skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të mirëpresë një nga shfaqjet më të rëndësishme që përmban kalendari artistik i këtij sezoni. Kjo shënon një ngjarje të rëndësishme kulturore, pasi dirigjenti ikonë, Zubin Mehta, i cili është cilësuar nga shumë personalitete si “një nga dirigjentët më të mirë të të gjitha kohërave”, vjen për herë të parë në Shqipëri.

Mjeshtri Zubin Mehta do të dirigjojë Orkestrën Filarmonike të Beogradit, në përvjetorin e 100-të të themelimit të saj, në koncertin Gala që do të mbahet në skenën e TKOB-në, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Repertori i këtij koncerti historik, do të përmbajë muzikën klasike elitare botërore, Simfoninë nr. 7 të Beethoven-it dhe “Simfoninë fantastike” të kompozitorit të mirënjohur francez Hector Berlioz.

Edhe pse koncerti mbahet në këtë periudhë që përkon me situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, Drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, pohon se ky projekt artistik e ka zanafillën në tetor të vitit 2022.

“Programi me maestron është i paracaktuar që në tetor. Si drejtuese teatri dhe si artiste dua të tregoj që ne jemi po aq të aftë sa ata. Për sa i përket fakteve që ndodhin tani, mendoj që vetëm mendjet e mbyllura mund të krijojnë situata të pakëndshme. Janë kurthe që mendoj se historia do t’i zhduki me kohën e vet”, tha Voshtina.

Koncerti Gala do të mbahet ditën e enjte, në orën 20:00.

Gazetare: Ornela Ceka

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme