Molla drejt vjeljes në Korçë, fermerëve u kërkohet monitorim i pemëtoreve

Sociale | 20 minuta më parë

Me afrimin e sezonit të vjeljes së mollës, fermerët këshillohen të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme pemëtoret për praninë e dëmtuesve dhe sëmundjeve.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet krimbit të mollës, si dhe shfaqjes së kalbëzimeve që mund të dëmtojnë frutat dhe të ndikojnë në cilësinë e prodhimit.

Po ashtu, përcaktimi i momentit të duhur të vjeljes është i rëndësishëm për ruajtjen e cilësisë së mollëve. Specialisti Nevjon Telha bën me dije se janë dy kritere mbi të cilat duhet të bazohet vjelja.

Në kriteret fizike bazohemi te ngjyra e kultivarit, ngjyra e farave, e cila duhet të jetë e kafëzuar, madhësia tipike e kultivarit, pra nëse kemi kultivar me cikël biologjik të hershëm, të mesëm apo të vonë, tekstura dhe fortësia. Fortësia matet me gradë Brix, me penetrometër, me një aparat të vogël me të cilin bëjmë matje direkte në terren, për të parë shkallën e fortësisë, pra nëse është arritur pjekuria e duhur për vjelje apo ka toleranca të ndryshme, në varësi të kushteve konkrete në terren. Te kriteret kimike, matjet kryesore bëhen për përmbajtjen e sheqerit, me refraktometër, të cilin një pjesë e mirë e fermerëve, kryesisht ata që kanë frigoriferë për ruajtjen e mollës, e kanë me vete këtë pajisje”, u shpreh Nevjon Telha, Specialist i sektorit të pemëtarisë, QTTB.

Fermerët këshillohen të shmangin dëmtimet gjatë vjeljes dhe të largojnë frutat e dëmtuara ose të rëna, për të parandaluar përhapjen e kalbëzimeve. Monitorimi i pemëtoreve në këtë periudhë shihet si një nga hapat kryesorë për sigurimin e një prodhimi cilësor dhe jetëgjatë.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme