Monument natyror/ Rrapi 500-vjeçar në Mallakastër drejt kalbjes, asnjë institucion nuk ndërhyn

Sociale | 4 vite më parë

Pema 500-vjeçare në fshatin Drizar në Mallakastër rrezikon të thahet, pasi para disa vitesh njëra nga degët e saj është goditur nga rrufeja.

Edhe pse pema është shpallur Monument Natyre dhe është nën kujdesin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, nga institucionet përkatëse nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

Ali Isufi, kryetari i fshatit Drizar disa herë ka kërkuar nga këto institucione ndërhyrje, por deri tani nuk ka asnjë reagim.

Drizari është një nga fshatrat e bashkisë Mallakastër, i njohur jo vetëm për traditat patriotike dhe kulturore, por edhe për rrapin e famshëm, tashmë simbol të tij.

Ky biomonument njihet edhe me emrat ‘’Rrapi i Ujit’’ ose ‘’Rrapi i Vodicës’’ dhe është i vendosur në luginën e ‘’Përroit të Thatë’’, fare pranë autostradës Levan-Tepelenë.

Banorët mendojnë se ky dru ka një moshë rreth 500-vjeçare dhe i ka rezistuar jo vetëm tallazeve të kohës, por edhe fenomeneve atmosferike.

Më një lartësi mbi 30 m dhe perimetër të trungut afro 8 m, rrapi krijon një kurorë në formë çadre, e cila e ka shndërruar atë në një vend takimi, qëndrimi ose çlodhje ndër shekuj  për banorët e zonës  dhe karvanët që kalonin asokohe.

Banorët kanë ditur gjatë kohës që ta ruajnë atë siç janë kujdesur për të ruajtur këngët, vallet, zakonet dhe traditat e kësaj zone.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme