Moska paralajmëron perëndimin: Nëse sulmohet territori rus, gati të përdorim edhe armët bërthamore

Duke folur gjatë një aktiviteti në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin tha se nuk kishte plane për të sulmuar ndonjë vend evropian, por ishte i përgatitur t’u përgjigjej sulmeve të Perëndimit nëse ishte e nevojshme, duke iu referuar territorit rus Kaliningradit të vendosur mes dy anëtarëve të NATO-s,
Polonisë dhe Lituanisë. Deklarata erdhi pas stërvitjeve të fundit ushtarake të NATO-s pranë enklavës ruse në baltik, të cilat Aleanca i ka përshkruar si ushtrime mbrojtëse për të forcuar parandalimin e sulmeve të mundshme.
Këto ushtrime kanë shkaktuar shqetësime të forta në Moska, e cila paralajmëroi në fund të shtatorit se do të hakmerrej nëse NATO do të përpiqej të bllokonte enklavën e saj nga ajri ose deti. “Stërvitjet e njëpasnjëshme në Detin Baltik dhe përpjekjet për të ndaluar anijet dhe mjetet tona lundruese, të gjitha këto janë akte përshkallëzuese.
Më pas filluam të dëgjojmë deklarata në lidhje me rajonin e Kaliningradit”- tha shefi i Kremlinit. “Nëse bëhet fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë kundër Federatës Ruse, në këtë rast në Kaliningrad dhe ndoshta në disa territore të tjera, sigurisht që çështja e përdorimit të të gjitha armëve në arsenalin e vendit tonë do të jetë pjesë e agjendës sonë. Kjo është e pashmangshme”- paralajmëroi ai duke iu referuar edhe armëve bërthamore.
NATO, disa vende evropiane dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë akuzuar Rusinë për kryerjen e një lufte hibride kundër tyre, duke përfshirë sulme kibernetike, sabotim dhe përpjekje spiunazhi, që synojnë të reduktojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Sulmet e fundit me dronë ukrainas mbi rafineritë ruse të naftës kanë çuar në mungesa të mëdha karburanti dhe vetë Putin e pranoi se goditjet e Kivit po ndikonin negativisht në ekonominë e vendit të tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





