Moti i keq në vend, si paraqitet situata në akset rrugore, furnizimi me energji elektrike e ujë, si dhe në porte e aeroporte

Dita e shtunë ka qenë problematike thuajse në të gjithë Shqipërinë, pasi vendi ynë, prej mbrëmjës së djeshme, është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, shoqëruar edhe me erëra të forta.
Nisur nga situata e krijuar ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë një përditësim sesi paraqitet situata në të gjithë vendin duke përfshirë akset rrugore, furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Situara në lidhje me akset rrugore
Nisur nga intensiteti i lartë i reshjve të dëborës ka krijuar vështirësi në disa prej akseve rrugore. Në Rrugën e Arbrit po punojnë 5 borëpastruese. Në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim.
“Edhe në Rrugën e Kombit, pavarësisht reshjeve të dëborës, vijon qarkullimi i automjeteve. Në segmentet Peshkopi- Maqellarë dhe Ulëz- Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura. Në akset Vau Dejës- Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit- Bulqizë ka reshje të shumta dëbore. Po punohet me 4 borëpastruese.”, njofton ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, veçanërisht në segmentin Fierzë- Qafë Shllak pasi era e fortë përhap dëborën nga bankina në rrugë.
Lidhur me situatën në juglindje të vendit, edhe në akset Qafë Plloçë- Maliq, Zëmblak- Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë- Dogana Kapshticë, kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre.
Qarkullimi vijon normalisht. Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe pajisja me zinxhirë në të gjitha zonat ku janë regjistruar reshje dëbore.
Situata e furnizimit me energji elektrike
Ministria bën të ditur se mbi 1500 punonjës janë angazhuar në terren në të gjithë vendin nga ana e OSSH për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në një kohë sa më të shpejtë për çdo problematikë.
Prioritet, sipas saj, mbetet furnizimi me energji elektrike i objekteve të rëndësisë së veçantë.
“Si pasojë e motit janë 37 fidera jashtë pune. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit, ku stakimi i energjisë ka ardhur si pasojë e këputjes së përcjellësave, thyerjes së izolatorëve apo dëmtimi i kabllove. Defektet më së shumti janë evidentuar në zonat e thella rurale ku linjat janë ajrore.”, thuhet në njoftim.
Me gjithë vështirësitë e motit, po vijon puna për riparimin e tyre. Gjithashtu, ka pësuar defekt edhe një prej fiderave të nënstacionit Lezhë, i cili furnizon me energji elektrike Hidrovorin Gocaj dhe Fideri 7 N/St Lezhë që furnizon me energji elektrike hidrovorin Grykëzezë. Të gjitha linjat 35Kv, si dhe fiderat e tjerë dalës 20/10/6 KV që furnizojnë hidrovorët janë në skemë normale të furnizimit me energji elektrike.
“Prej mëngjesit të sotëm, si pasojë e erës së fortë, janë stakuar linja 400 kV Tirana 2 – Podgoricë dhe Tirana 2-Koman, pa ndikim tek konsumatorët. Situata në kaskadën e Drinit paraqitet normale.”, njofton ministria.
Sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm
Situata e furnizimit me ujë paraqitet normale dhe pa problematika. Sipas ministrisë së Energjitikës, edhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura janë në funksion të plotë dhe nuk janë raportuar problematika.
Të gjitha ekipet e shoqërive rajonale UK janë në gatishmëri.
Situata në porte dhe aeroporte
Në Portin e Durrësit situata oparaqitet normale. Tragetet kanë mbërritur në kohë dhe në terminalet portuale vijon pa ndërprerje përpunimi i mallrave.
“Edhe në Portin e Vlorës nuk raportohen problematika. Lëvizja e tragetit ka vijuar sipas orarit të parashikuar. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka vijuar punën normalisht pa vonesa apo anulime. Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk janë evidentuar problematika.”, përfundon njoftimi i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




