Moti i keq, rikthen problematikën e banesave gjysmë të shembura

Sociale | 6 vite më parë

 

Moti i keq i këtyre ditëve, ka rikthyer problematikën e shtëpive të gurta gjysmë të shembura në qytetin e Gjirokastrës. Me gjithë restaurimin e disave prej tyre, shqetësimi tek banorët mbetet i njëjtë pasi muret e tyre, kanë marrë çarje dhe janë dëmtuar duke rrezikuar ata që kalojnë apo jetojnë pranë. Në gjendje të tillë është banesa e braktisur e Lolomanëve, në lagjen Varosh të Gjirokastrës.

“Rrezik janë për banorët këto shtëpi, duhet patjetër të merren masa për to pasi përbëjnë rrezik të madh për kalimtarët edhe makinat. Tani që bien dhe shira është akoma më keq. Ky problem vazhdon prej vitesh në Gjirokastër”, shprehet një banor i qytetit.

“Gjendja e tyre kur i shikon, lë shumë për të dëshiruar, sidomos objektet e trashëgimisë kulturore që mbartin historinë e popullit tonë. Këto banesa duhen mbajtur. Do citoja shtëpinë e Lolomanëve që për mua, është një shtëpi autentike në të gjitha linjat e ndërtimit të saj, me atë të Zekatëve. Po humbet ky ‘flori’ duke u rrënuar. Në lagjen time, janë në fakt 2-3 shtëpi që po rrënohen nga çatia, në tërësi. Kjo ndodh edhe sepse trashëgimtarët e tyre kanë hequr dorë”, shprehet një banor i lagjes Varosh.

Disa banesa karakteristike në Gjirokastër në këto ditë dimri, po dëmtohen dukshëm për shkak edhe të rreshjeve të shumta. Përgjegjesi i trashëgimisë kulturore në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vaso Polo, shprehet se banesat e dëmtuara gjatë dimrit janë nën vëzhgim për të shmangur çdo lloj problematike. Ai pohon se këtyre shtëpive po u kushtohet vëmendje për mirëmbajtie dhe restaurim.

“Këto ditë duke patur reshje shiu ne kemi qenë në vëzhgim të këtyre objekteve të cilët paraqiten me risk. Deri tani nuk kemi patur asnjë problematikë me banesat monument-kulture. Në te gjitha banesat që ka patur probleme, po ndërhyjmë për mirëmbajtie nëpër mure, çati, etj”, shprehet përgjegjesi Vaso Polo.

Në Gjirokastër janë rreth 15 banesa monument-kulture të dëmtuara. Mes tyre edhe dy shtëpitë e Lolomanëve, ajo e Hadërajve, e Çanojve, etj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme