Moto GP, Kuartararo i prish rikthimin Mark Markezit

Moto GP | 5 vite më parë

Fabio Kuartararo siguroi në mënyrë dramatike nisjen nga vendi i parë të dielën në garën e tij të shtëpisë, pasi mposhti shokun e tij të skuadrës së “Jamaha”-s, Maverik Vinjales në një finale të ethshme të provave zyrtare të Çmimit të Madh të Francës në Moto GP. Në fakt, ishte dukur se Mark Markez do të rikthehej më në fund bujshëm tek nisja nga vendi i parë, teksa shiu filloi të lagte etapat e fundit të provave zyrtare, por 6-shja e parë ndryshoi rreshtim vetëm në fund, teksa një numër pilotësh shfrytëzuan në skaje mundësinë e dhënë.

 Johan Zarko me “Dukatin Pramak” ishte i pari që regjistroi kohën më të shpejtë, po ai u kalua shpejt nga Pol Espargaro, përpara se piloti tjetër i “Honda”-s, Mark Markez, të merrte kryesimin me kohën 1 minutë, 33 sekonda e 37 të mijëtat. Por teksa shiu filloi të luante rol në këto prova zyrtare, u duk se Markez po rikthehej të nisej nga vendi i parë që nga 2019-ta dhe Honda po mbante 3 vendet e para me të, Taka’aki Nakagamin dhe Espargaronë.

 Por përmirësimi i kohës bëri që gjithçka të ndryshonte, dhe fillimisht ishte Vinjalesi që i la pas “Honda”-t, kurse vulën e vuri Kuartararo, që siguroi, për herë të 3-të radhazi këtë sezon, nisjen nga vendi i parë. Radhën e parë të nisjes do ta plotësojë Xhek Milleri, atë të dytën Morbideli, Zarko dhe Markez, që e gjeti kështu veten në vendin e 6-të në fund të prova zyrtare.

10-shen e të parëve do të plotësojë Nakagami, Espargaro, Valentino Rosi dhe Migel Oliveira. Sikundër këto prova të lira, edhe gara e së dielës do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizonit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.

 

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme