Mrekulli në Venezuelë! 3-vjeçari nxirret i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese

Amerikë | 3 muaj më parë

Një djalë trevjeçar është shpëtuar i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, në një operacion të realizuar nga një ekip shpëtimi jordanez.

Fëmija, i identifikuar si Klieber Morán, u nxor nga rrënojat në shtetin La Guaira. Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, e cilësoi shpëtimin e tij si një “burim shprese për popullin tonë”.

Sipas Mbrojtjes Civile të Jordanisë, vogëlushi mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua në një spital në Karakas, ku gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme.

Shpëtimi i tij ndodhi shumë përtej 72 orëve të para pas tërmetit, periudhë që konsiderohet vendimtare për mbijetesën e personave të bllokuar nën rrënoja.

Ndërkohë, bilanci i viktimave nga dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ka arritur në 1.943 të vdekur, mbi 10.000 të plagosur, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas një vlerësimi fillestar të bazuar në të dhënat satelitore të NASA-s, rreth 58.870 ndërtesa janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar.

La Guaira mbetet një nga zonat më të goditura, ku shumë banorë vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuar me forcat e tyre, ndërsa mungesat e ushqimeve, ujit dhe strehimit po përkeqësojnë situatën.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) paralajmëroi se dhjetëra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare. Organizata kërkon rreth 15 milionë dollarë për të siguruar strehim të përkohshëm, furnizime bazë dhe mbështetje për rreth 30.000 të prekur gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin, duke theksuar se sistemi shëndetësor është nën presion ekstrem dhe se ekziston rrezik i lartë për shpërthimin e sëmundjeve si fruthi dhe difteria, për shkak të nivelit të ulët të vaksinimit.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit nga Venezuela, Shtetet e Bashkuara, Meksika, Jordania dhe vende të tjera vazhdojnë kërkimet mes rrënojave me shpresën për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

Në të njëjtën kohë, familjet kanë nisur të varrosin viktimat e identifikuara, ndërsa mijëra të tjera presin ende lajme për të afërmit e tyre që rezultojnë të zhdukur. Një banor i La Guairas tregoi se nga 11 anëtarët e familjes së tij, vetëm dy i mbijetuan katastrofës, pasi në momentin e tërmetit ndodheshin në punë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme