Muzikë, energji dhe argëtim – “Youth Wave Festival” rikthehet në Shkodër më 12 gusht
Shkodra do të mirëpresë më 12 gusht edicionin e dytë të Youth Wave Festival, një aktivitet që organizohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Drejtuesja e Qendrës Rinore Atelie, Mirza Bërdica, bën të ditur se këtë vit festivali do të zhvillohet në hapësirën përpara Kinema Republika, ku pritet të mblidhen dhjetra të rinj për një mbrëmje me energji, muzikë dhe promovim të pjesëmarrjes rinore.
“Përgjatë gushtit kemi koncertin e Youth Wave-it, një koncert që do vijë ndryshe më datën 12 gusht, i cili përkon me Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Kemi shumë surpriza në atë natë. Do të jetë një koncert shumë i madh. Presim rreth 2000 të rinj. Këtë vit do të zhvillohet në sheshin para Kinemasë Republika, një aset i Bashkisë Shkodër, i cili është rikonstruktuar së fundmi dhe i ka dhënë një shije tjetër dhe një hije tjetër qytetit. Faktikisht, do të vazhdojmë me aksionet e Act Shkodra, që të jemi prezent në terren”, tha ajo.
Ky është viti i dytë që organizohet Youth Wave Festival. Edicioni i parë u zhvillua verën e kaluar në zonën liqenore të Shirokës, ndërsa këtë vit organizatorët synojnë një pjesëmarrje edhe më të madhe, duke sjellë festivalin në qendër të qytetit për të përfshirë sa më shumë të rinj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




