Nafta në Shpirag, Balluku: Të ardhurat shumë më të larta se 500 milionë euro në vit

Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka dhënë detaje mbi investimin që po kryen kompania Shell në Shpirag për nxjerrjen e naftës nga nëntoka.
Në një komunikim për mediet, pyetur mbi përfitimet e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë nga ky investim privat, Balluku u shpreh se nëse prodhimi do të arrijë 30 mijë fuçi në ditë, bonusi i prodhimit do të jetë 1,5 milionë dollarë.
“Janë dy prurje totalisht të ndryshme. Rasti i investimit në infrastrukturë nga 3–7 miliardë euro, këtu kemi një analizë të gjerë se çfarë fiton Shqipëria, që ka të bëjë me industrinë e ndërtimit, bazën e parë materiale që do të përdoret. Na u tha se vetëm modulet e industrisë do importohet, të tjerat do merren nga tregu vendas, krahu i punës, materialet.
Ky është injektim që nis menjëherë dhe në rast se brenda vitit do ketë rezultat, pasi na thanë se rezultati mund të dalë dhe dy javët e para, në varësi të rrjedhës së produktit ata do marrim vendimin, më do nisë investimi i infrasturkturës që ka ndikim në ekonominë e vendit.
Sa i përket produktit, që është një e ardhur që zgjat 25–30 vite në bazë të kontratës, ka të bëjnë me rentën minerare. Në rast të këtyre kontratave është e dakordësuar 10% renta minerare mbi produktin. Tatim fitimi është në masën 50% , bonusi i prodhimit është 250 mijë dollarë me prodhimin e fuçisë së parë, 750 mijë dollarë kur prodhimi arrin 15 mijë fuçi, 1,5 milionë dollarë kur prodhimi arrin 30 mijë fuçi në ditë,” tha Balluku.
Zv.kryeministrja theksoi se të ardhurat nuk do të menaxhohen nga buxheti i shtetit, por nga Fondi Sovran.
“Ajo çka është me rëndësi, është granti i faktorit R që do aplikohet nga fillimi i kësaj kontrate. Kemi rënë dakord me kompaninë që të mos deklarojmë skenarët që ata kanë marrë për bazë.
Nga momenti që filluam punën për ngritjen e një Fondi Sovran, flitet për të ardhura shumë më të larta se 500 milionë euro në vit, të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit, por nga Fondi Sovran,” u shpreh ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




