Nafta në Shpirag, Rama: Në tetor nis testi për nxjerrjen në sipërfaqe. Cilësi premium si Arabia Saudite

Aktualitet | 3 vite më parë

Në tetor të këtij viti do të fillojë testi për të nxjerrë në sipërfaqe naftën e zbuluar në Shpirag. Kështu bëri me dije kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ku ndanë detaje nga puna kërkimore në Shpirag.

Kreu i qeverisë theksoi se nafta ndodhet në thellësinë 6002 metra, ndërsa sipas testimeve të kryera, rezulton e cilësisë shumë të lartë, e krahasueshme me atë premium të Arabisë Saudite.

“Testi do fillojë në tetor dhe rezultatet bazohen në ndjekjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del mbi sipërfaqe, po përgatitet edhe plani masiv i investimit sepse gjitha ajo rezervë duhet pastaj të hy në infrastrukturën përkatëse dhe për ta nxjerrë atë në tregun vendas dhe botëror. Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë, është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë sepse burimet e tjera janë të një nafte të rëndë që përdoret për bitum, solar, por nuk është naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve. Sipas testeve, nafta ka të njëjtën cilësi si nafta Premium në Arabinë Saudite”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se investimi i parashikuar do të nisë me 3 miliardë euro, ndërsa projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës, investimi të shkoi në 7 miliardë euro. Investimi parashikon ndërtimin e të gjithë infrastrukturës për depozitimi e rezervës dhe më pas edhe ndarjen e saj në nënprodukte.

“Investimi i parashikuar dhe projekti që do realizohet nga kompania nis me 3 mld euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme pasi do fillojë punë për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie është 7 mld euro investim në vendin tonë. Investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës për depozitimi e rezervës, ndarjen në gaz në naftë dhe sulfur”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se një tjetër lajm “interesant”, siç e cilësoi ai”, është edhe fakti se gjatë eksplorimit nuk është prekur uji, i cili ndodhet nën rezervën e naftës, tregues ky i një sasie edhe më të madhe të rezervës. Rama nuk dha shifra konkrete, teksa u shpreh se fillimisht do të bëhet edhe një vlerësim nga pikëpamja financiare për të përcaktuar nëse nxjerrja e naftës është e arsyeshme, apo procesi do të jetë më i kushtueshëm se përfitimi.

“Rezerva është aty në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë për shkak të formacionit gjeologjik të zonës dhe investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave. Lajm interesat është që ende nuk është cekur uji i cili është nën rezervën, çka prezumon se madhësia e rezervës mund të jetë edhe më e madhe. Nuk jemi në kushtet kur mund të flasim për shifra konkrete, informacionet në këtë fazë janë jo vetëm konfidenciale, por lidhet me atë që pa marrë rezultatin  e testit final që përcakton që nxjerrja e kësaj pasurie është e arsyeshme nga pikëpamja financiare, sepse nëse procesi do të ishte më i kushtueshëm se përfitimi, atëherë kuptohet që rezerva do mbetet aty për një kohë tjetër kur teknologjia të avancojë në përmasa që sot nuk janë”, u shpreh kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme