Nafta ruse kontrabandë/ PD akuzon Ramën: Ke kryer tradhti ndaj vendit, i hape dyert Moskës për në Adriatik

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike ka lëshuar akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se fshihet pas kontrabandës së naftës ruse prej mijëra tonë të kapur ditën e djeshme në Portin e Durrësit.

Përmes zëdhënëses Floriana Garo, Partia Demokratike thekson se kjo që ka bërë kryeministri Edi Rama është tradhti ndaj vendeve aleate pasi i ka hapur dyert Moskës, në një kohë kur Rusia është sanksionuar nga Perëndimi si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Anija e kapur me mijëra tonelata naftë vinte nga Rusia, një vend në sanksionet e ShBA dhe Bashkimit Europian. Me sa duket, Rama me oligarkët e tij e kanë në gojë Perëndimin sa për sy faqe, por pas shpine, sa herë u jepet rasti dhe për përfitime personale, bëjnë pakte me të gjithë armiqtë e vendeve të lira. Të hapësh Durrësin dhe Adriatikun për anijet ruse, një ëndërr e vjetër e Moskës, është një tradhti e dyfishtë kombëtare. Ta bësh këtë në kohë lufte, kur populli ukrainas përpiqet për lirinë dhe mbijetesën është tradhti globale”, tha zëdhënësja e PD, Floriana Garo në një deklaratë për mediat.

Garo tha se me rastin e fundit, Rama ka thyer embargon e Perëndimit ndaj Rusisë.

“Kryeministri i këtij vendi që braktiset përditë, përveçse inkurajon Vuçiçin që t’u thotë JO sanksioneve ndaj Rusisë, jep një dorë edhe vetë, duke lejuar kontrabandën e naftës ruse në portet shqiptare dhe duke thyer embargon e Perëndimit. Ndërkohë që bota e lirë është në luftë, kryeqeveritari dhe njerëzit e tij mundohen si e si të përfitojnë në shpinë të krizës globale. Ndalimi i një anijeje në portin e Durrësit me 22 mijë e 500 ton naftë kontrabandë ka ndodhur para dy ditësh. Kapja e kësaj anijeje nuk mund të duartrokitet si punë e mirë e organeve ligjzbatuese, sepse siç dëshmojnë raportet mediatike dhe konfidenciale, për çdo anije të kapur disa dhjetëra lejohen të vazhdojnë shkarkimin. Anija e kapur me mijëra tonelata naftë vinte nga Rusia, një vend në sanksionet e ShBA dhe Bashkimit Europian. Anijet me naftë ruse, apo nga zonat nën embargo si Libia e Siria, nuk janë tashmë një lajm i ri për kronikën policeske dhe mediatike”, u shpreh ajo.

Zëdhënsja e PD-së shtoi gjithashtu se “ka ardhur koha që edhe ju t’i thoni “Mjaft më!” këtij përfituesi lufte. Indiferenca, si brenda dhe jashtë, dëmton imazhin, i bën atentat të ardhmes së vendit, dhe e bën Shqipërinë një aleat nominal, pa vlera të vërteta”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme