Nata e gjashtë e Festivalit Folklorik. Ngjiten në skenë ansamblet e Qarkut të Elbasanit dhe Diasporës

Me baladat kushtuar besës, kurbetit dhe sakrificës, si ajo e Ymer Agës, ansamblet e Qarkut të Elbasanit përmbyllën natën e gjashtë të Festivalit Folklorik Kombëtar.
Të shoqëruar edhe me motive folklorike të Shqipërisë së mesme, ku u ndërthur kostumografia, vallet tradicionale, si ajo e vajzave të Elbasanit, Belshit dhe të Rrajcës, muzika qytetare elbasanase solli një atmosferë shumë të ngrohtë në skenën magjike të kalasë së Argjirosë.
Tradita e muzikës popullore e kësaj zone përbën një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë folkloristike shqiptare, ndaj emocioni që artistët përcollën në skenë ishte shumë i madh.
Qarku i Elbasanit u paraqit me 95 performues duke përfaqësuar shtatë zonat etnografike që përfshihen në këtë trevë.
Artistë të ardhur nga Greqia, Amerika dhe Zvicra shpalosën vlerat që i ruajnë me aq fanatizëm. Grupet “Rapsodët e Gjenevës” dhe “Bashkimi” nga Zvicra, “Lot Kurbeti” nga Athina, artistët e grupit “Gjergj Kastrioti” nga Micigani i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ansambli artistik “Lura” , me këngën “300 duvakët” dhe vallen “Qëndisma shaminë” e bënë natën e 6 të Festivali edhe më të paharrueshme.
Gazetare Ornela Ceka
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




