Ndahet nga jeta Emma Bonino, ikona e radikalizmit liberal italian

Botë | 2 muaj më parë

Është ndarë nga jeta Emma Bonino, një prej figurave më të rëndësishme të radikalizmit liberal dhe politikës italiane e evropiane. Presidentja e +Europa-s ndërroi jetë pas disa ditësh e shtruar në spital, duke mbyllur një jetë të gjatë të karakterizuar nga betejat politike, aktivizmi dhe angazhimi për të drejtat civile. Bonino ishte prej dekadash një nga figurat kryesore të Partisë Radikale në Itali, krah Marco Pannella-s. Pas diagnostikimit me kancer në vitin 2015, ajo iu nënshtrua trajtimeve dhe kimioterapisë. Në tetor 2024, Bonino u përball edhe me probleme të rënda të frymëmarrjes, për të cilat qëndroi në kujdes intensiv, por arriti ta kapërcejë atë situatë.

E lindur në Brà të Piemontes në vitin 1948, Emma Bonino iu bashkua Partisë Radikale në vitin 1975. Që në vitet e para të angazhimit të saj politik u bë një nga zërat kryesorë në fushatat për liberalizimin e abortit dhe kundër energjisë bërthamore, duke përdorur referendumet dhe mosbindjen civile si mjete të veprimit politik.

Në vitet në vijim, ajo mbështeti edhe iniciativa për liberalizimin e drogave të lehta dhe politika alternative në luftën kundër drogës. Në skenën ndërkombëtare, Bonino u angazhua për mbrojtjen e të drejtave civile dhe politike, heqjen e dënimit me vdekje dhe luftën kundër urisë në botë.

Bonino u zgjodh për herë të parë në Parlamentin italian në vitin 1976, në moshën 28-vjeçare, dhe shërbeu si deputete deri në vitin 1994. Ajo drejtoi Partinë Radikale Transnacionale si presidente nga viti 1991 deri në vitin 1993 dhe më pas shërbeu si sekretare e saj. Nga viti 1995 deri në vitin 1999, Bonino ishte anëtare e Komisionit Evropian, ku ishte përgjegjëse për politikën e peshkimit, çështjet e konsumatorit dhe ndihmën humanitare. Gjatë mandatit të saj u përball me disa prej krizave më të mëdha humanitare të viteve ’90, përfshirë ato në Rajonin e Liqeneve të Mëdha në Afrikë dhe në Ballkan.

Ajo shërbeu gjithashtu si deputete në Parlamentin Evropian dhe u rikthye në qendër të vëmendjes së politikës italiane me “Listën Bonino”, e cila në zgjedhjet evropiane të vitit 1999 siguroi rreth 8.5 për qind të votave në rang kombëtar. Pas fitores së qendrës së majtë në zgjedhjet e vitit 2006, Bonino u emërua ministre për Tregtinë Ndërkombëtare dhe Çështjet Evropiane në qeverinë e Romano Prodit. Në vitin 2008 kandidoi në listat e Partisë Demokratike dhe më pas u bë nënkryetare e Senatit. Ndërsa nga prilli 2013 deri në shkurt 2014 shërbeu si ministre e Jashtme në qeverinë e Enrico Letta-s. Përpara zgjedhjeve të vitit 2018, Bonino ishte ndër themelueset dhe figurat kryesore të +Europa-s, forcë politike që ajo e drejtoi si presidente deri në fund të jetës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme