Ndërkombëtarët kërkojnë lirimin e 3 efektivëve të Kosovës, Serbia: S’po keqtrajtohen, organet tona punojnë në përputhje me ligjin

Kosovë | 3 vite më parë

Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për lirimin e 3 efektivëve të Kosovës të cilët ndodhen në paraburgim në Serbi, ndërsa Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq thotë se autoritetet po punojnë në përputhje me ligjin. Ai mohoi se ata janë keqtrajtuar, teksa thotë se Serbia është shtet serioz.

“Është gënjeshtër se policët e Kosovës të arrestuar janë keqtrajtuar, ne jemi shtet serioz, organet tona punojnë ekskluzivisht në përputhje me ligjin”, ka thënë ai.

Lidhur me përpjekjet për normalizimin e situatës, Petkoviq tha se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të zhvilloj një takim me zyrtarët amerikanë dhe evropianë, ndërsa akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për veprime të njëanshme.

“Presidenti Aleksandar Vuçiç do të flasë edhe sot me zyrtarët amerikanë dhe evropianë, ne po bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të ruajtur paqen, por kjo ka qenë prej kohësh jashtë kontrollit tonë, gjithçka ka të bëjë me Kurtin dhe lëvizjet e tij të njëanshme me të cilat ai dëshiron të vendosë gjithë rajoni në zjarr”, tha Petkoviq.

Tre efektivët e Kosovës ndodhen në paraburgim në Serbi, ndërsa ngjarja ka tensionuar edhe me tej marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Pretendimet e dy vendeve janë kontradiktore, ku Kosova ka deklaruar se efektivët u rrëmbyen nga forcat serbe në territorin e Kosovës, ndërsa Serbia e konsideron arrestim, duke thënë se efektivët ishin në territorin e tyre  dhe të armatosur.

Reagimet e ndërkombëtarëve kanë qenë të shumta, duke bërë thirrje për lirimin e efektivëve. Ndërkohë, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR tha në një deklaratë për mediat se bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme