Ndërprerja e ndihmave për Gazan – OKB dhe OBSH thonë se vendimi duhet parë. Pasojat janë katastrofike

Qyteti i Khan Junusit në jug të Rripit të Bllokuar të Gaza ishte epiqendra e sulmeve ajrore izraelite gjatë 24 orëve të fundit. Ministria e palestineze e Shëndetësisë tha se si pasojë e sulmeve gjatë kësaj periudhe kohore kanë humbur jetën më shumë se 300 persona duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në gati 27 mijë.
Shoqata e të Burgosurve Palestinezë tha se në një shkollë në Beit Lahiya në veri të enklavës u gjetën trupat e pajetë të 30 palestinezëve, me duar dhe sy të lidhur. Ndërkohë, udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh pritet të udhëtojë drejt Egjiptit për diskutime mbi një propozim për armëpushim, i cili përfshinë ndërprerjen e luftimeve nga të dyja palët në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi.
Situata në enklavë është rënduar ndjeshëm teksa me qindra mijëra persona janë të pastrehë dhe nuk kanë qasje në energji elektrike, ushqim dhe ujë të pijshëm. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres e quajti agjencinë e organizatës së tij për refugjatët si “shtylla kurrizore” e ndihmës për Gazën, pasi disa vende pezulluan fondet për pretendimet izraelite se 12 punonjës të kësaj oraganizate morën pjesë në sulmet e 7 tetorit.
Po ashtu, edhe drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ndalimi i financimit do të nënkuptonte “pasoja katastrofike” për njerëzit dhe ai u kërkoi vendeve që morën këtë vendim ta rishqyrtojnë atë. ” Asnjë entitet tjetër nuk e ka kapacitetin për të ofruar asistencën për 2.2 milionë njerëz në Gaza që janë në nevoja urgjente. Ne apelojmë që këto njoftime të rishqyrtohen”, u shpreh kreu i OBSH.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania dhe Japonia janë shtetet që kanë njoftuar pezullimin e dërgimit të ndihmave për agjencinë e OKB-së pas kërkesës së Izraelit.
Gazetar A. Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




