Pas përfundimit të koncesionit, shërbimi i hemodializës kalon nën administrimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore

Nga data 1 nëntor, shërbimi i hemodializës në vend ka kaluar zyrtarisht nën administrimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), pas përfundimit të kontratës koncesionare që mbulonte këtë sektor.
Njoftimi është bërë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale theksoi se fokusi kryesor i këtij tranzicioni mbetet mbarëvajtja e procesit mjekësor për të gjithë pacientët që marrin këtë shërbim.
Garantimi i vijimësisë dhe procesi i tranzicionit
Sipas dikasterit të Shëndetësisë, strukturat përkatëse kanë ndërmarrë masat e nevojshme teknike dhe logjistike në mënyrë që kalimi i pronësisë administrative të mos ndikojë në rutinën e trajtimeve spitalore.
“Prioriteti ynë mbetet garantimi i vijimësisë, sigurisë dhe cilësisë së këtij shërbimi jetik, pa ndërprerje për pacientët,” deklaroi ministrja Spahiu, duke shtuar se “ekipet janë angazhuar në përgatitjet përfundimtare për funksionimin e plotë të shërbimit nga 2 nëntori, duke vendosur në qendër të çdo mase sigurinë dhe kujdesin ndaj pacientëve.”
Në mesazhin zyrtar të publikuar nga ministria nënvizohet se asnjë ndryshim në strukturat menaxhuese nuk do të cenojë marrjen e kujdesit mjekësor. Institucioni ka nëvizuar se “pacienti është mbi çdo ndryshim administrativ” dhe se “interesi i pacientit mbetet prioritet absolut”.
Furnizimet dhe shtrirja në qendrat rajonale
Paralelisht me kalimin administrativ, është bërë me dije se ka nisur shpërndarja e materialeve dhe sistemimi i furnizimeve mjekësore në qendrat kryesore të hemodializës në rrethe, përfshirë ato të Shkodrës, Lezhës, Elbasanit dhe Korçës.
Sipas OSHISH-it, të gjitha hallkat e procesit janë udhëzuar të mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e standardeve të kërkuara, me objektivin kryesor të sigurohet “vazhdimësi në trajtim, siguri në shërbim dhe kujdes i pandërprerë për çdo pacient, çdo ditë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




