Spondiliatroza po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, fizioterapisti: Qëndrimi ulur dhe stili i jetesës ndikojnë në shtyllën kurrizore
Spondiliatroza dhe problemet e shtyllës kurrizore po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe në moshat e reja. Qëndrimi për orë të gjata ulur, puna përpara kompjuterit dhe mungesa e aktivitetit fizik janë disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e shqetësimeve të qafës dhe shpinës.
I ftuar në “Mirëmngjes Shqipëri” në RTSH, fizioterapisti Rudolf Kariqi foli për problematikat që has gjithnjë e më shpesh në praktikën e tij, duke ndarë këshilla për parandalimin dhe kujdesin ndaj shtyllës kurrizore.
“Është problem global, nuk është thjesht vetëm këtu te ne. Në vetvete janë disa osteofite që dalin te vertebrat dhe më pas fillojnë irritimet e qafës, shtrëngimet dhe ngurtësia. Sot po prek shumë edhe moshat e reja për shkak të stilit të jetesës, mënyrës si ushqehemi, gjumit dhe shumë faktorëve të tjerë”, tha ai.
Fizioterapisti tha se ka vënë re një rritje të problemeve të kolonës vertebrale, por edhe të rasteve me skoliozë, përfshirë fëmijët.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe problemeve që vijnë për shtyllën kurrizore në ambientin e punës. Fizioterapisti Kariqi theksoi se karrigia duhet të jetë e përshtatur me gjatësinë dhe përmasat e trupit, ndërsa pozicioni përpara kompjuterit duhet të ruajë këndin 90 gradë të bërrylave dhe një qëndrim sa më të drejtë të shpinës.
“Karrigia duhet të jetë e përshtatshme për çdo person, në bazë të gjatësisë dhe pozicionit të trupit që ai ka. Bërrylat duhet të jenë në pozicionin 90 gradë, këmbët të mbështetura dhe shpina të qëndrojë drejt”, tha ai.
Fizioterapisti shpjegoi se një tjetër faktor është edhe cilësia e gjumit dhe zgjedhja e jastëkut. Sipas tij, jastëku nuk duhet të jetë as shumë i lartë dhe as shumë i ulët, por duhet të përshtatet me nevojat individuale të secilit person.
Në përfundim, fizioterapisti ndau edhe disa këshilla mbi ushqyerjen, duke vënë në dukje rëndësinë e proteinave, peshkut, vezëve dhe perimeve në mbështetjen e shëndetit muskulor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




